Lë pas të shoqen me dy fëmijë! Vdekja e 38 vjeçarit shqiptar shkakton polemika në Itali

 Lë pas të shoqen me dy fëmijë! Vdekja e 38 vjeçarit shqiptar shkakton polemika në Itali

Një vdekje që mund të evitohej. Kështu e cilësojnë mediat italiane rastin e një 38 vjeçari shqiptar, i cili ndërroi jetën në zonën e Molise prej Covid. I riu, i identifikuar në median italiane si Pjerin Lleshaj,  la prapa të shoqen 25 vjeçare dhe dy fëmijë.

Media në shtetin fqinj shkruan se vdekja e të riut tregoi edhe njëherë problematikat e mëdha me përballimin e pandemisë. 38 vjeçari ndërroi jetë teksa po priste që të kurohej e shtrohej në një spital më të specializuar, pasi në këtë zonë të Italisë nuk ka një të tillë.

I riu ishte i shtruar në urgjencën e Termolit, në pritje të një vendi për në terapi intensive, vend që fatkeqësisht ai nuk e gjeti asnjëherë.

Shqiptari nuk kishte patur sëmundje të tjera sipas medias italiane. Koronavirusi i solli komplikacione në shëndet e në fund (duke pritur) i mori dhe jetën.

Pas kësaj ngjarje (regjistruar më 7 shkurt)  dhe disa rasteve të tjera të përsëritura në zonë, janë hapur polemika të shumta, veçanërisht mes drejtuesve lokalë e vendorë të zonës. Kjo për shkak se në Molise nuk ka një spital për Covid dhe se mungesa në shtretër e aparatura është e theksuar. Kësisoj shumë pacientë që ndodhen në gjendje të rënduar shëndetësore, transportohen me helikopterë drejt spitaleve në qytete të tjera.

Kujtojmë se Italia vijon të mbetet një ndër shtetet evropiane më të goditura nga pandemia.