“Lëng djathi me bukë i jap fëmijëve” Historia e trishtë e familjes nga Gjakova

 “Lëng djathi me bukë i jap fëmijëve” Historia e trishtë e familjes nga Gjakova

Bekim Ferizi nga Gjakova, jeton veti i pestë në banesë me qira dhe në këto kohë të koronavirusit, vështirësitë janë të mëdha.

Prej 5 vitesh jeton me qira, por prej kohësh tashmë është  i papunë.

“Jam pushuar nga puna për shkak të situatës COVID-19, por unë duhet të paguaj qiranë. Për kokë të fëmijëve, nuk kam as të ha as të pi, jam vetë i pesti. Kam dy vajza dhe një djalë. I kam kushtet e rënda. Fëmijët flenë edhe pa bukë, ka qarë për t’i blerë bukë, nuk kam pasur para t’i blej. Edhe kur isha në punë, nuk i kisha mundësitë që t’ia dilja me vetëm një rrogë. Vajza më tha para tre ditësh, o babi nuk ka as makarona më, çfarë të bëjë babi i thashë, nga t’ia mbaja. Nëse dëshiron ndokush të më ndihmojë, Allahu i shpërbleftë. Kam nevojë shumë për një shtëpi. I lutem motrave dhe vëllezërve më ndihmoni. Nuk po ia dal dot më, fëmijët në shkollë, qiraja duhet të paguhet, jam i papunë. Dua të ushqej familjen time. Kur vjen Iftari nuk kam çfarë të hamë, madje as lëng të djathit nuk kam. Unë vetë jam i sëmurë kam tre gurë në veshka”,-thotë Bekimi.

Bashkëshortja e Bekimit tregon sesi vajzat nuk ndihen si moshataret e tyre. Ushqimi u mungon në tryezë ndërsa jeta e tyre është shumë e vështirë.

Vajza e Bekimit thotë se në shkollë nxënëset e ofendojnë. I thonë se nuk ka para të blejë rroba të reja.
“Jemi mërzitur, as fletore nuk blej dot, në shkollë nuk blejmë dot si shoqet, më ofendojnë ato gjatë gjithë kohës, më thotë se nuk ke tesha, nuk ke asnji send, krejt më ofendojnë. Të falura i kemi krejt teshat, nuk kemi blerë asnjë rrobë. Më vjen keq për babin, është edhe i sëmurë”, -thotë vajza e Bekimit.Emisioni shqiptarët për shqiptarët e përcolli rastin e kësaj familje që ndodhet në gjendje të vështirë ekonomike. Por surpriza më e madhe Bekimit i vjen nga e bija, e cila e pret dhe i thotë se po hyn në banesën e tij.