“Lodhja e jashtëzakonshme” Me çfarë po përballen bluzat e bardha në Kosovë, rrëfimi i infermieres

 “Lodhja e jashtëzakonshme” Me çfarë po përballen bluzat e bardha në Kosovë, rrëfimi i infermieres

“Lodhje jashtëzakonisht e madhe. Të jesh motër që kujdesesh për 20 pacientë, kjo është diçka e tepërt. Të japësh terapi, të përcjellësh oksigjenin, temperaturën e shumë punë të tjera e kërkesa, të cilave duhet t’iu dalësh ballë”

Këto janë fjalët e një infermiere që prej afro 1 viti punon me turne 12 orarëshe. Njëlloj si për shumë pjesëtarë të ekipeve shëndetësore, edhe ajo përballet përditë me fluksin e lartë të personave të prekur me Covid. Javët e fundit kanë qenë të vështira për Kosovën, teksa numri i vdekjeve është i lartë e numri i infektimeve shqetësues.

“Për shembull, një pacienti i rëndohet gjendja dhe mjeku thotë ‘shpejt t’i dërgohet gjaku për analiza në Emergjencë’. Ju duhet t’i lini të gjithë pacientët dhe terapitë e tyre përgjysmë dhe nuk mund ta refuzosh një urdhër të tillë”, tregon infermierja.

Infermierja (emri i të cilës nuk bëhet publik për të ruajtur anonimatin) tregon se në një klinikë të QKUK-së, ku trajtohen 60 pacientë me Covid, ka vetëm tri bombula oksigjeni.

“Duhet që ta përcjellësh atë bombol oksigjeni dhe karrocën e pacientit. E ndërkohë ju jeni me pacientë të tjerë… por, duhet ta përcillni bombolën, karrocën – nuk ka shanse t’i bësh të gjitha sepse je vetë. Ne kemi vetëm tri bombola, të cilat duhet të shkosh t’i mbushësh, dhe të gjitha këto kanë punë. Ndodh që nuk arrijmë t’i shërbejmë të gjithë”, shpjegon ajo.

Ndërsa puna më e rëndë, ajo e përballjes me ata që e humbin jetën.

Krahas punëve të tjera, infermierja që është në ndërrim duhet të merret vetë me kufomën, nëse ka qenë pozitiv (me koronavirus) janë procedura të veçanta… Kam pasur raste kur pacienti, siç tregojnë familjarët, asnjëherë nuk ka pasur probleme shëndetësore, por brenda një jave ka ndërruar jetë për shkak të problemeve me oksigjen. Rastet e tilla te ne ndikojnë shumë. Non-stop e kam përcjell rastin, veç vinte duke i rënë (niveli) i oksigjenit, pulsi dhe më pas ai vdiq. Aty (brenda repartit) ndiejmë dhimbje shumë të mëdha sepse ka shumë momente prekëse”, thotë infermierja.

Në shtatë ditët e fundit, në Kosovë janë regjistruar 181 raste të vdekjes dhe 8,901 raste të reja me koronavirus.

Burimi: Rel/ Përshtati me shkurtime: Shqiptaret per Shqiptaret.info