Lotët e 9 vjeçares: Unë dhe vëllai jemi binjakë… unë jam e shëndetshme, por vëllai im jo
Kjo vajzë është 9 vjeçe. Prej 5 vitesh ajo qan përditë.
Ky djalë po ashtu është 9 vjeçar dhe prej 5 vitesh ka dhimbje të përditshme.
Lorena dhe Lorenci janë motër e vëlla, binjakë. Ama Lorenci është i prekur nga tumori në kokë.
“Unë quhem Lorena. Jam 9 vjeçe. Vëllai im po ashtu është 9 vjeç, jemi binjakë. Edhe unë jam e shëndetshme dhe ai nuk është… ka tumor në kokë.”-thotë 9 vjeçarja për të vëllanë.
Historia e familjes Pashollari është e dhimbshme. Përtej varfërisë dhe kushteve të vështira ku jetojnë, familja përballet me sprovën e madhe, që ka prekur djalin e tyre 9 vjeç.
Motra e madhe e Lorencit, tregon për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” se i vëllai me të motrën janë shumë të lidhur. Gjendja e Lorencit vetëm përkeqësohet.
“Ata janë binjakë. E duan njëri tjetrin dhe s’mund të jetojnë dot larg. Kur vëllai ikën në Tiranë, motra qan shumë. Lorenci është një vëlla shumë i mirë. Ai mëson shumë… kur i dhemb koka, nuk na tregon që i dhemb, se nuk do të na mërzisë. Kur ai ikën në Tiranë, shtëpia na duket bosh.
Ai mund të ikë nga kjo jetë e unë kam shumë frikë, nuk mund të jetoj pa të. Ne jemi shumë keq, për ne është gjithçka Lorenci.
I kërkojmë të gjithë shqiptarëve në mbarë botën që të na ndihmojnë, që vëllai ynë të shërohet”-thotë motra e madhe.
“Kur shkoj në shkollë e shoh bankën e tij që është bosh. Unë qaj… më pyesin mësueset sesi është Lorenci dhe unë sërish qaj. Unë dua ta kem pranë vëllain tim, dua që të shërohet sa më shpejt.”-thotë Lorena.
Vetë Lorenci i drejtohet me një lutje shqiptarëve. Përqafuar me të ëmën, ai tregon se ndihet gjatë gjithë kohës i lodhur. Një ëndërr të vetme ka ky 9 vjeçar.
Lorenci: Më dhemb shumë koka, ndihem i lodhur të gjithë kohën. Fuqi nuk kam fare. Në shkollë nuk kam shkuar këtë vit. Më mungon shumë të shkoj në shkollë (qan)
Ëndrra ime më e madhe është që të shërohem, të bëhem si gjithë të tjerët. Të mund të shkoj në shkollë me motrat e mia. I lutem të gjithë shqiptarëve, që të shërohem dhe unë.