Lotët e një gjysheje për mbesën me tumor: Shpirti më është shkatërruar, ju lutem më ndihmoni

 Lotët e një gjysheje për mbesën me tumor: Shpirti më është shkatërruar, ju lutem më ndihmoni

Shtëpia e saj është e mbushur në dhimbje. Muret nuk ia mbajnë ditët e zeza që ka provuar. Kjo grua është Ruzhdie Lala. Jeton në Elbasan me të bijë dhe mbesën. Vite më parë e bija pësoi një aksident që i tjetërsoi jetën dhe trupin.

Por dhimbja më e madhe që e mbyt gjyshe Ruzhdien, është sëmundja e rëndë që ka robëruar mbesën, Kristinën. Ajo është veçse 19 vjeçe dhe në pjesën e prapme të kokës, tumori ka gjendur vend.

Emisioni ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ shkoi në Elbasan për ta dëgjuar historinë e nënë Ruzhdies.

Ruzhdia: Jetoj me vajzën time e mbesën. I kam të dyja të pamundura, të sëmura. Vrasje për mua është mbesa, 19 vjeç. Erdhi nga shkolla, më tha ‘nënë nuk po të dëgjoj’.

Veç sëmundjes që i ka marrë dalëngadalë të lëvizjen e trupit, Kristina pësoi një paralizë që i hoqi dhe zërin. Të gjitha këto fatkeqësi, janë mbledhur në zemrën e kësaj gjysheje, e cila qan dhe qan… sepse nuk mund ta shpëtojë mbesën.

Gjyshe Ruzhdia: Kristina ka dy melanoma tek veshët. Kaloi një paralizë dhe i iku edhe e folura. Ka një vit që komunikojmë me të shkruar.

Vajza ime(nëna e Kristinës) është rrëzuar, hoqi tre hematoma… por nuk kërkon asgjë për vete. Këmba dorazi mundohet t’i shërbejë Kristinës. Mbesa është për vit të parë për mami. Nuk del dot më, e lanë këmbët, e lanë duart, vetëm mendjen e ka të freskët. Më thanë që duhet një ndërhyrje, rrezikon të mbetet ashtu si trung po nuk u operua. Mjekët më kanë thënë që operimin duhet bërë sa më parë, por ai kushton mbi 20 mijë euro e unë nuk kam mundësi.

Si ishte Kristina perpara se te semurej

Me këto vështirësi përballet kjo grua që po shkon në të 70-tat. Çohet në mëngjes dhe shet ndonjë lule pranë varrezave të qytetit, për të nxjerrë sado para të mundet. Vajza dhe mbesa kanë nevojë për ilaçe dhe përkujdesje. E gjithë kjo peshë bie mbi shpatullat e gjyshe Ruzhdies, e cila i drejtohet shqiptarëve me fjalë që të përlotin.

Gjyshe Ruzhdia: Unë mundohem, shes ndonjë tufë lule. Mundohem që të gjej ndonjë lek që t’i ushqej, por një shërim për Kristinën nuk e mbuloj dot. Goca ime po më ikën, 19 vjeç (qan) ku të mbytem unë. Unë s’po qaj për gocën, por për mbesën, më ka marrë shpirtin e zemrën. Nuk ka keq më për mua, jam e gjymtuar në shpirt e zemër.

Një lutje ka kjo nënë fatkeqe. Ndihmë… Kërkon ndihmën e shqiptarëve.