“Lutem t’mos vdes rrugëve me kalamajtë” Historia e trishtë e një nëne që rrit 4 jetimë

 “Lutem t’mos vdes rrugëve me kalamajtë” Historia e trishtë e një nëne që rrit 4 jetimë

Marjana është e bekuar me 4 fëmijë dhe për ta jep gjithçka. Por jeta e ka përplasur në shumë sprova. E para ishte ajo e para dy viteve, kur i shoqi ndërroi jetë për shkak të tumorit në mëlçi. Ajo nuk arriti as ta shohë për herë të fundit të shoqin, pasi ky i fundit hyri në reanimacion.

Vendosi të vijë në Tiranë, pasi banesa e tyre në një fshat të Pukës, po u shembej mbi kokë. Mori një shtëpi me qira në zonën e Bathores dhe gjeti punë për t’i sjellë ushqim fëmijëve.

Marjana: Kam 4 fëmijë. Dy vjet kam që kam ardhur në Tiranë, me qira. Me halle gjithë jetën, por kurrë nuk e kam menduar se fëmijët do të mbeteshin jetimë. Im shoq ka vdekur në Shkodër, kishte hemorragji nga goja. Kancer në mëlçi. Qëkur u fut në reanimacion, nuk e pashë më… po tani s’kam çfarë bëj, kur vijnë gjërat prej Zotit, le të vijnë…

Por jetesa si një nënë e vetme, pa asnjë ndihmë e përkrahje është tejet e rëndë. Pavarësisht se ajo punon, rroga e vogël i mjafton vetëm për paguar qiranë e për të blerë fare pak ushqime. Ka plot raste kur nuk ka mundësi t’u blejë ushqime fëmijëve.

Marjana: Vetëm këto fëmijë më la, por asgjë tjetër. E vështirë shumë t’i rris vetëm, sepse edhe ata kanë kërkesat e tyre. Veç Zoti më forcon, por kur i shoh më duket sesi kam mund me i rrit, sesi janë gjallë të katërt.

Ajo tregon për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” se muajt e fundit nuk ka mundur dot të paguajë qiranë dhe me gjasë, do të përballet me rrugët… së bashku me fëmijët e mitur.

Marjana: Nuk kam mundësi fare, asnjë ndihmë. Vetëm qiraja kushton 100 mijë lekë të vjetra. Nuk janë shumë, por mua më duken aq shumë saqë s’ka. Kam dy muaj që nuk i kam paguar paratë e mendoj se nëse më nxjerrin nga shtëpia, normal në rrugë do shkoj, se nuk kemi ku të shkojmë. Po të shkojmë sërish në fshat, atje shtëpia shtë shembur komplet. I them vetes shpreso për një ditë, për më mirë.

Asnjë lloj të ardhure nuk kemi. Një ndihmë ekonomike 48 mijë lekë të vjetra dhe rrogën 120 mijë lekë që marr në punë në një fast food. I bëj thirrje shqiptarëve, Elvis Naçit, kam nevojë shumë për ndihmë. Të paktën të kem një shtëpi që të mos vdes rrugëve me kalamajtë.