“Lutna kush ka mundësi, ta shoh nënën me këmbët e veta”

 “Lutna kush ka mundësi, ta shoh nënën me këmbët e veta”

Podujevë. Emisioni ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ ka ardhur në Kosovë për të ndjekur nga afër historinë e familjes Rakaliu. Lutja e vajzës së familjes ka sjellë emisionin e shqiptarëve, një lutje për t’i ndihmuar nënën e saj të paralizuar.

Agnesa thotë se shkollën e infermierisë e nisi pikërisht për të ndihmuar të ëmën, por duket se as këtë ëndërr të saj s’do ta plotësojë. Nëna e saj, Xhezidja, ësht përkeqësuar dhe askush nuk mund të përkujdeset për të, askush përveçse Agnesës. 19 vjeçarja ka lënë shkollën për t’i shërbyer të ëmës. Agnesa qëndron në krye të shtëpisë, për punët, ushqimin, gjithçka.

 “Do doja të vijoja shkollën por duhet të kujdesem për nenën time, pas vitit të parë të fakultetit të infermierisë u detyrova të ndërpriste studimet. Përveç meje askush nuk mund të kujdeset për të, askush nuk e ushqen as e vesh, nuk kemi mundësi për ta operuar”,-thotë 19 vjeçarja.

Aliu, kryefamiljari, po ashtu është i sëmurë dhe familja jeton me vetëm 150 euro pension. Zemra e Aliut e ka pamundësuar që ai të mund të punojë, sado ta lejojë mosha.

‘Lutna kush ka mundësi’ thotë Agnesa me zërin e dridhur, ndërsa e ëma përlotet dhe është e pikëlluar për të bijën.

“Mëzitna për vajzën, që ka lënë shkollën e më kqyr mua. Kurrë nuk u gzua, me punë vetëm, me mua, unë vetëm kam dhimbje… “-thotë Xhezidja.

Shqiptarët për Shqiptarët i kanë dalë në krah nënë Xhezides dhe e kanë dërguar në Turqi për të kryer operacionet e nevojshme për këmbët e saj.