“Lutu për djalin, Zoti ta shërojë” Elvis Naçi i plotëson ëndrrën nënës me djalin me tumor

 “Lutu për djalin, Zoti ta shërojë” Elvis Naçi i plotëson ëndrrën nënës me djalin me tumor

Asnjë nënë nuk duhet ta provojë dhimbjen që ndjen Xhenisa sot e 6 muaj me radhë. Djali i saj Xheviti, veçse 5 vjeç, është diagnostifikuar me tumor cerebral dhe me shkuarjen e ditëve, dielli i jetës së tij po perëndon.

E mbytur nga lotët e dhimbjet për të birin, kjo nënë bëri një thirrje javën e kaluar në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”, që ta ndihmonin të dërgonte të birin jashtë shtetit për një kurim, të cilin ajo vetë nuk mund ta përballonte financiarisht.

Qindra shqiptarë e ndjenë në shpirt dhimbjen dhe iu përgjigjën lotëve të kësaj nëne me shpresën se Xheviti do t’ja dalë mbanë e do të mundë tumorin.

Elvis Naçi e Sidrit Bejleri shkuan për vizitë në spital, për të parë nga afër Xhenisën dhe Xhevitin e vogël. Elvisi i thotë Xhenisës se gjithçka do të bëhet për vogëlushin, që atij t’i jepet një shans për të jetuar, për t’ju rikthyer dritës së jetës së tij. Elvisi mbante në duar një zarf të cilin ia dorëzoi Xhenisës. Janë biletat për në Turqi për atë dhe Xhevitin. Koha nuk pret më dhe vogëlushi duhet të niset sa më pare për kurimin. Shqiptarët e kanë bërë realitet ëndrrën e shpresën e kësaj nëne.

Elvisi: Mir je Xhavit, marshallah je. Xhenisa ne e konsiderojmë hallin tënd si tonin. Kemi fëmijë vetë dhe duam që të bëjmë çmos. Ne do t’i bëjmë gjërat e nevojshme, kurse të tjerat i takojnë Zotit. Ne e kemi prerë biletën që të nisesh sa më parë, sepse puna nuk pret më.

Edhe sikur të mos mblidhet gjithë fondi, ne do t’i kemi nga fondacioni Firdeus edhe Xhevitit do t’ja japim një shans për jetën e më pas… ne themi Zoti përpara, ne prapa.

Një moment lehtësimi e përshkron Xhenisën, e cila përlotet dhe nuk gjen fjalë për të falenderuar. Elvisi ledhaton vogëlushin dhe i uron shërim. Një këshillë i jep Xhenisës, të mos reshtë e të lutet për jetën e të birit, sepse tashmë gjithçka është gati për nisjen e operimit e kurimit të tij.

Elvisi: Xhevit, Zoti të shëroftë.

Xhenisa: Faleminderit nga zemra, juve, të gjithëve.

Elvisi- Xhenisës: Bëj lutje për këtë fëmijë. Ishallah Zoti bën sebep për djalin.