‘Malli i Mëmëdheut” Si u krijua shoqëria e parë shqiptare në SHBA dhe roli i njeriut “bibliotekë”

 ‘Malli i Mëmëdheut” Si u krijua shoqëria e parë shqiptare në SHBA dhe roli i njeriut “bibliotekë”

E para shoqëri shqiptare e krijuar në SHBA mbante një emër që kumtonte mallin për Shqipërinë. E krijuar në janar të vitit 1906, shoqëria “Malli i Mëmëdheut” u themelua nga patriotë e intelektualë të njohur, në shtëpinë e Thanas Mborjes në Buffalo (shteti i Neë York/SHBA).

Themeluesit ishin: Thanas Viso Mborja, Mina Grameno, Petro Nini Luarasi, Kol Rikashi, Pandi Lipi Kallanxhiu, Thimi Nuni Boçka, Pandi Mihal Furxhi, Dhimitraq Zisi Negovani, Vani Odo Karameta, Vani Vangjel, Thanas Halle, Mihallaq Kristaq Bimbli.

Shoqëria kishte për qëllim bashkimin e shqiptarëve në SHBA dhe mbi të gjitha, ruajtjen e gjuhës e vlerave shqiptare.

Ja si e kujton vetë Thanas Viso Mborja ditën e themelimit të shoqërisë: “Unë i thashë një ditë një shoku, se ne që kishim qenë në Rumani dhe kishim parë atje se si ishin organizuar shoqëritë patriotike, nuk mund të rrinim duarkryq, por duhet të merrnim iniciativën për krijimin e shoqërive të tilla në Amerikë. Për këtë ishte e mira të ftoheshin nga qyteti Xhejmstoun. Këtu ndodheshin rreth 80 shqiptarë dhe patriotët Petro Nini Luarasi e Mina Grameno me qëllim që të na ndihmonin. Shoku im e pëlqeu mendimin dhe kështu nuk mbeti veçse ta vinim në zbatim. Më 1 Janar të vitit 1906, në konakun tim u mblodhën patriotë për të vendosur në lidhje me çështjen e themelimit të shoqërisë.”

Një ndër figurat kryesore të kësaj shoqërie, e cila u bë dhe guri i parë për të ngritur shoqërinë “VATRA”, ishte dhe Petro Nini Luarasi. Në librin e tij për shqiptarët në Amerikë, Kostandin A. Demo shkruan këto fjalë për intelektualin e njohur:

 “Petro Nini Luarasi ishte “The Paul Revere” i shqiptarëve mbasi vinte në çdo vend ku kishte shqiptarë dhe predikonte patriotizëm. Ai ishte një librari me dy këmbë, me xhepat mbushur plot pamfleta, revista e gazeta. Ai përgatiti udhën e lëvizjes kombëtare për ata që erdhën pas tij. Shoqëria “Malli i Mëmëdheut” krijoi edhe një bibliotekë me libra në gjuhën shqipe, anglishte dhe greke, gjuhë këto që pak a shumë i njihnin punëtorët shqiptarë të Bufalos. Fondin e parë të librave e dhuroi Thanas Viso Mborja i cili kur u largua nga Rumania mori dy sundukë me libra në gjuhën shqipe nga shoqëria e shqiptarëve të Bukureshtit. Këto libra ishin shkrojtur nga patriotët e Rilindjes dhe shtypur në tipografinë e shoqërise “Dituria” të Bukureshtit. Anëtarët e shoqërisë paguanin si kuote ½ dollarë në muaj. Ata ishin lidhur me punëtorë dhe intelektualë amerikanë. Një nga këta, Zt. Moss, në gazetën “Morning Post” e popullarizoi shumë luftën e popullit shqiptar dhe kërkesat e tij.”