“Martesa u vendos nga të tjerët” Rrëfimi i gruas së dhunuar nga i shoqi: Pistoletën ma vuri në kokë

 “Martesa u vendos nga të tjerët” Rrëfimi i gruas së dhunuar nga i shoqi: Pistoletën ma vuri në kokë

Historia e dhunës ndaj grave është një realitet shqiptar, veçanërisht në martesat që lidhen me shkesi. I tillë është rasti i një gruaje në moshën 30 vjeçare, e cila është dhunuar fizikisht nga i shoqi. Aktualisht ajo ndodhet në qendrën e viktimave të dhunës në familje, ndërsa i shoqi është arratisur për t’i shpëtuar përballjes me drejtësinë.

Televizioni Abc ka kryer një intervistë me të renë, të cilën po e sjellim të plotë me qëllim krijimin e një ndjenje sensibilizimi në përkrahje të grave në Shqipëri.

Gazetarja ne interviste me vajzen 30 vjeçare

Ajo tregon se u martua me shkesi, prindërit vendosën për të.

“Kështu ishte vendosur nga të tjerët, nga prindërit e mi. Ata më njohën dhe donin që të martohesha me të. Në fillim ishte tip i qetë, por me kalimin e kohës ndryshoi. U bë tip agresiv, temperamenti i ndryshoi vit pas viti. Kohët e fundit filloi edhe dhuna fizike, po ashtu edhe pinte.

Besoj që në fillim (shkak i dhunës) ishte papunësia, por pastaj nuk di të them arsye të tjera… Ata kështu e kanë zakon, që duhet tu bindesh të gjithë familjarëve të bashkëshortit. E shohin nusen si shërbyese që nuk ka të drejtë as të mendojë dhe as të veprojë.”-tha gruaja.

Gjatë kohës së karantinës (vitin e shkuar) 30 vjeçarja tregon se i shoqi i drejtoi armën në sy të fëmijëve.

“Ishim prezent bashkë me fëmijët e mi dhe familjarët e ish-bashkëshortit, nga debatet e shumta që lindën mes meje dhe familjarëve të bashkëshortit, ai më dhunoi dhe më kërcënoi se do më vriste, nxori armën…

Po ziheshin fëmijët me njëri-tjetrin. E motra e tij nuk duronte zhurmën dhe dhunoi fëmijët. Unë nuk e durova, reagova menjëherë duke i thënë që mos të prekte fëmijën, pastaj u përfshinë edhe pjesëtarë të tjerë të familjes. Edhe ata ndërhynë me ofendime ndaj meje dhe fëmijëve. Për gjithçka që ndodhte në shtëpi, fajtorja isha unë…” 

10 vite iu deshën që t’i lejonte vetes të dilte sipër mentalitetit negativ për divorcin.

 “Kam qenë e pasigurt për jetën dhe nuk vendosa dot më herët. Nuk kisha siguri në vetvete se mund t’ja dilja. Nuk kisha mbështetje as nga familja ime, në zonën time ekziston akoma tabu-ja e divorcit dhe duhet të ulësh kokën, shprehet ajo teksa shton se “ Bashkëshorti është i lirë, por është shpallur në kërkim. Nuk është kapur ende”.

Pas gjithë mundimeve të shumta që kaloi, 30 vjeçarja po mundohet të risjellë veten në rrjedhën normale të gjërave.

“Pas një muaji që mu desh të kaloja gjendjen e rënduar psikologjike që kisha kaluar bashkë me fëmijët e mi, nga qendra dhe një shoqatë mu ofrua një kurs profesional të cilin e ushtrova deri tani. E vetmja gjë që dua tani është punësimi. Kam aplikuar jo vetëm për parukiere por edhe në vende të tjera”, thotë e reja.