Masa të reja shtrënguese në Shqipëri, ora policore nis në 20:00! Si do të zhvillohet mësimi

 Masa të reja shtrënguese në Shqipëri, ora policore nis në 20:00! Si do të zhvillohet mësimi

Duke filluar nga kjo e enjte (nesër më 11 shkurt) deri më datë 25 të këtij muaji, Shqipëria do të mbyllet në orën 20:00.

Vendimi është bërë publik këtë të mërkurë nga ana e Komitetit Teknik të Ekspertëve, duke parë numrin në rritje të infektimeve me koronavirus.

Katër janë masat e marra . Së pari ndalimi i qarkullimit nga ora 8 e darkës deri në 6 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (e cila kërkon një leje përmes e-Albania).

Së dyti, aktiviteti i bareve, restoranteve e klubeve do të ndalet në orën 20:00 të mbrëmjes. Një tjetër masë e re shtrënguese është vendosur për shkollat, konkretisht ato të mesme. Nisur nga rastet e infektimeve të reja në grupmoshat 15-24 vjeç, shkollat e mesme që ndodhen në zonat e riskut do të zhvillojnë mësimin online.

Zonat e riskut janë siç vijon, për bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz

Së fundmi, sezoni i provimeve për shkollat e larta do të zgjatet, në mënyrë që të kombinohen provimet online dhe ato në auditor.