“M’dhemb shpirti kur e shoh… Gjithçka e jap, veçse ajo të shërohet”

 “M’dhemb shpirti kur e shoh… Gjithçka e jap, veçse ajo të shërohet”

Nuk ka lënë gurë pa lëvizur, ka bërë gjithçka që të mos e shohë më vajzën duke vuajtur. Mundohet shumë të mos qajë. Shtrëngon dhëmbët kur tregon për të bijën, por sërish dhimbja i del nga shpirti e lotët i rrjedhin në fytyrë.

Shkëlzeni, babai i Megit: Ne jetojmë në Kodër Thumanë, nga tërmeti nuk kemi pasur probleme… por kemi hall më të madh, që po ta zgjidh atë s’dua asgjë tjetër prej Zotit lart. Megi ka qenë e shkathët në shkollë e urtë e mbarë. Para një vitit e 7 muaj u rrëzua dhe më tha babi kam vrarë këmbën. Mendova ishte diçka pa problem, por vajza filloi të çalojë. E kemi dërguar në çdo spital, i morëm mbarë. Dështoi si operacion. Shkuam takuam doktorin, na tha unë bëra të pamundurën. Vajza ka nevojë për një operim për t’i rregulluar këmbët. Doktori i huaj na dha garanci, por tha se është operim i vështirë.

Prej thuajse dy vitesh, Megi 12 vjeçe çalon. Nuk shkon dot në shkollë. Dhimbjet nuk i largohen nga trupi.

Megi: Më dhemb këmba shumë. Kam dëshirë të shkoj në shkollë, si të gjithë. Për 2021 s’kam shkuar ende në shkollë. Shkolla është larg dhe nuk mund të eci dot. Vetëm brenda shtëpisë. Madje edhe kur flë gjumë, batanijen nuk e mbaj dot se më dhemb këmba.

Babi për mua ka punuar e harxhuar shumë. Në Lezhë e çuam në spital pa ndjenja se e kapi tensioni e zemra prej meje… nga mërzia. Edhe unë kam dëshirë të bëhem si shoqet e mia. Ishalla më ndihmon dhe mua Zoti. Babi shkon për punë në Malin e Zi. Më thotë mos u mërzit se do vij shpejt (qan). Babi shkon atje për me sjell para për bukën.

Familja Aliu ka vetëm një thirrje, që ia drejtori shqiptarëve përmes emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”… një ndihmë për Megin, që edhe ajo të mund të ecë, të shkojë në shkollë e të jetojë si të gjithë fëmijët e tjerë.

Babai: Vuajtjet të gjitha i kemi patur, por vuajtjen më të rëndë e ka patur Megi. Ka shkrujt Zoti me vujt, nuk ke çfarë me bërë. Këto janë prova të Zotit dhe ishalla do Ai, Megi do të bëhet mirë.

Çdo mundësi që e ka fal Zoti, me të gjitha, me borxhe pa borxhe, me të gjitha… kam bërë të pamundurën për të. Nuk e di ç’të them, por prap shpresat tek Zoti i kam. Më dhemb shpirti kur e dëgjoj duke fol… asnjë lloj gjëje nuk dua. Shpinë e fal, veçse vajzës t’i rregullohet këmba.

Nëna: Më dhemb shpirti kur e shoh ashtu vajzën. Më tha një ditë më parë, o ma mos më vendos batanije, se nuk e mbaj dot.

Vëllai i Megit, Kurti: I bëj thirrje xhaxhi Elvisit e “Shqiptarët për Shqiptarët” që motra ime të shërohet.

Babai: Vetëm shpresat tek shqiptarët i kam që të shërohem. Zoti para, ata prapa…

Megi: Ishalla do Zoti, bën mrekulli dhe e kryejmë këtë operacion… shpresoj na ndihmojnë shqiptarët

Emisioni së bashku me shqiptarët bamirës iu përgjigjën lutjes së familjes Ali. Për të ndjekur se çfarë ndodhi me Megin, klikoni në lajmin e mëposhtëm.