“Më erdhi zorr, ika nga dhoma e qava” Shqiptarët shpëtojnë nga skamja 5 fëmijët që ushqeheshin në plehra

 “Më erdhi zorr, ika nga dhoma e qava” Shqiptarët shpëtojnë nga skamja 5 fëmijët që ushqeheshin në plehra

Shpirtra të thyer që shpëtimin e gjenin tek koshi i plehrave. Një histori e dhimbshme ajo e familjes shqiptare Çuko. 5 fëmijë ushqeheshin me bukë të thatë, ndërsa dy binjaket e vogla ishin rritur me ujë dhe sheqer.

Një rrëfim me të vërtetë i rëndë ai i babait të këtyre fëmijëve, Gentianit, që thoshte se në shumë raste i është dashur t’u japë ushqim kalamajve nga koshi i plehrave.

Gentiani: I bie përreth gjithë Fierit. Dal në mëngjes dhe vij në orën 10 apo 12 të darkës për të nxjerrë kafshatën e gojës. Ndonjëherë kthehem edhe pa gjë fare, nuk gjej… kur kthehem kalamajtë më shikojnë nga duart.

Edhe bukë në kosh të plehrave kam ngrënë… e ha njëherë unë, po pashë se është e rregullt u jap dhe fëmijëve… atyre u kam thënë se i kam blerë

Por ajo që preku thellësisht shqiptarët ish rrëfimi i nënës së 5 fëmijëve, Erjonës, e cila tregoi sesi në ëndërr i dilte vëllai i vdekur pak përpara se ajo të mësonte se ishte shtatzanë. Erjona kishte vendosur ta abortonte fëmijën duke mos ditur që do të lindte dy vajza binjake. Në ëndërr i vëllai i thotë duke buzëqeshur se çdo fëmijë ka rriskun e tij. Sot Erjona ka 4 fëmijë dhe njëra nga dy binjaket mban emrin e vëllait të saj të ndjerë, Orgesa (Orgesi).

Emisioni ‘shqiptarët për shqiptarët’ vendosi që të dalë në krah të kësaj familje për ta ndihmuar që të mundt të gjenin një shtëpi, pasi jetojnë në një banesë me qira dhe rrezikojnë të përzihen për shkak se nuk kanë para. Elvis Naçi shkoi të takojë familjen, por pa se njëri prej djemve, Juliani nuk ishte në shtëpi. Vogëlushi kishte dalë për të mbledhur kanaçe në mënyrë që të ndihmonte familjen e tij.

Luisi:S’ka shumë që erdha nga shkolla…erdha këtu të mbledh kanaçe

Elvis Naçi: Ke shumë kohë për të mësuar?

Luisi: Po kam, mundohem… nuk mërzitem që vij këtu, ndihem mirë se po e ndihmoj familjen time

Naçi: Kush janë ata atje, shokët?

Luisi: Po shokët, po kur më shohin nuk më thonë gjë, nuk më bezdisin.

Naçi: Disa mendojnë se shqiptarët janë koprracë e njerëz të këqinj. Kam njohur shumë shqiptarë të mirë dhe janë optimistë që ky vend do të bëhet. Luis, kjo është hera e fundit që ti vjen këtu sepse nuk do të kesh nevojë të vish këtu. Do jetosh si të gjithë shokët e tu, i lumtur, i qetë dhe këto shqiptarë të mirë nuk do të lënë ty më, të vish këtu…

Ta hedh unë këtë thes…. nuk do të kesh kurrë më nevojë për këtë

Pasi pa me sytë e tij kushtet e rënda në të cilat jetonin 5 fëmijët, Elvis Naçi vendosi të dalë për të blerë disa rroba për vogëlushët. Së bashku me bashkëshorten Fatma Naçi u blenë një sërë veshjesh për një familje që luftonte çdo ditë për mbijetesë.

Naçi: Familja kishte probleme nga të gjitha anët. Ajo shtëpi ku qëndronin ishte në kushte katastrofike. Nuk kishin rroba për të veshur e as ushqim për të ngrënë. Shkova në bankë dhe bëra një pagesë prej 500 eurosh për nevojat imediate të fëmijëve. Më erdhi shumë keq për ata fëmijë kur i pash. I blemë disa rroba

Historia e familjes Çuko merr një tjetër dimension kur shqiptarët shtrijnë dorën. Dhe shembulli më domethënës erdhi nga dy vëllezër, të cilët pak kohë më parë kishin humbur të atin në një aksident tragjik. Emiri dhe Enesi erdhën në emisionin shqiptarët për shqiptarët dhe deklaruan se pasi kanë parë gjendjen e atyre fëmijëve janë prekur thellësisht e kanë vendosur që t’i dhurojnë 10 milionë lekë të vjetra për të bërë të realitet sa më shpejt blerjen e një shtëpie për ta.

Emiri: Babain tonë ne e kemi humbur para pak kohësh në një aksident… dhe për shpirtin e tij vendosëm të dhurojmë 10 milionë lekë për këtë familje, që të mund t’i ndihmojmë për të blerë një banesë.

Emiri dhe Enesi nuk ishin të vetmit që ndihmuan pasi dhjetëra shqiptarë kontribuan për të ndihmuar këtë familje. ‘Shqiptarët’ arritën t’i gjenin dhe një punë babait të familjes Çuko. Genti tashmë e ka nisur ditën e parë të punës, por ende nuk ka mësuar se është bërë me një shtëpi të re.

Erjona dhe fëmijët ishin të parët ata që shkuan tek banesa e re. Erjona u përlot thellësisht kur pa se shqiptarët dhe emisioni kishin bërë të mundur që ajo dhe fëmijët e saj të mund të jetonin më në fund në një banesë që mban emrin e tyre.

Erjona: I faleminderit të gjithë shqiptatrëve që kanë kontribuar për këta 5 fëmijë. Nuk e prisja kurrë që të bëhesha me një shtëpi kaq të bukur brenda një jave. Jetën e shikoja shumë të zymtë, nuk shikoja rrugëzgjidhje… kurse sot u bëra me shtëpi ndërsa im shoq filloi punë. Shqiptarët më dhuruan qetësinë e jetës.

Cfarë do t’i thuash në ëndërr vëllait tënd…

Erjona: Do t’i them se fëmija im më në fund është i lumtur… se çdo fëmijë ka rriskun e vet dhe ai erdhi tani.

Elvis Naçi e Sidrit Bejleri i dalin përpara Gentianit. Ai sapo ka mbaruar punën dhe ka parë që tek shtëpia e tyre e vjetër nuk ka asnjë njeri.

Naçi: Gent si je? Si të shkoi puna e re, u lodhe?

Gentiani: Jo nuk lodhem, jo nuk u lodha fare në punë (përlotet)

Naçi: Më ngjave si aktor o vëlla…por në shtëpi nuk gjete njeri apo jo?

Gentiani: Jo nuk kish njeri…

Më tutje Elvisi, Gentiani dhe Sidrit Bejleri i drejtohen shtëpisë së re. Gentiani nuk i beson syve, përlotet.

Naçi: Kjo është shtëpia e re… ta gëzoni dhe të jetoni të lumtur sepse e meritoni

Gentiani: Ju falënderoj shumë, gjithë shqiptarët ku ndodhen… ku isha dhe ku jam.

Elvisi i thotë Erjonës e Gentianit se një zonjë e ka marrë në telefon për t’i thënë se është e gatshme të japë çdo muaj për një vit rresht 500 euro. Madje zonja flet vetë me nënën e 5 fëmijëve dhe i thotë se ajo nuk është vetëm. Erjona përlotet dhe e falënderon nga zemra.

Por surprizat për familjen Çuko nuk kanë mbaruar ende, pasi Elvis Naçi e Sidrit Bejleri i komunikojnë Erjonës se ajo mund të nisë gjithashtu një punë part time në call center.

Kështu përmbyllet me një fund të lumtur një histori që më së miri e tregoi me një rast Elvis Naçi në emisionin shqiptarët për shqiptarët.

“Një shok i shkruajti Sidit, i thotë se më vjen zorr prej familjarëve e fëmijëve dhe kam shkuar në dhomë të derdh lot për këtë që pashë”