Me fëmijët në kazanët e plehrave, si iu përgjigjën shqiptarët thirrjes së kësaj nëne

 Me fëmijët në kazanët e plehrave, si iu përgjigjën shqiptarët thirrjes së kësaj nëne

Ka katër fëmijë, por dy prej tyre nuk i sheh pasi jetojnë në një qytet tjerër. Jeton e vetme me dy fëmijët e mitur dhe puna e vetme që kryen, është të shkojë në kazanët e mbeturinave për të mbledhur kanaçe apo plastikë.

Kjo është historia e Aida Dokles, 36 vjeçe dhe nënë e katër fëmijëve. Përveçse faktit se nuk mund të shohë dy fëmijët e saj, vajzën 17 vjeçe dhe djalin 18 vjeç, ajo është e vetme pasi të shoqin nuk e ka më. E vetmja punë që ka gjetur për të mbajtur gjallë fëmijët e saj të mitur, është të mbledhë bidona plastikë, pasi as ndihmë ekonomike nuk ka marrë ndonjëherë nga shteti.

Aida: Jetoj në Tiranë me fëmijët e vegjël. Të ardhura nuk kam, nuk kam as ndihmë ekonomike. Jetoj me qira. Të ardhurat e mia i siguroj duke mbledhur bidona. Dalim bashkë me fëmijët dhe mbledhin bidona dhe i shesim tek grumbullimi këtu lartë. Vajza ime e madhe është 17 vjeç ndërsa djali i madh është 18 vjeç. Të dy janë në Elbasan tek prindërit e mi. Prindërit janë në pension. Jam detyruar të ndahem nga fëmijët e mi”,-shprehet Aida, nëna e katër fëmijëve.

Estela, vajza e Aidës, është veçse 7 vjeçe dhe së bashku me të vëllanë 5 vjeçar, duhet të dalë rrugëve për të gjetr plastikë.

 Estela: Kur gjejmë bidona i marrim, ka edhe njerëz që tallen me ne thonë shiko këta që mbledhin bidona, më vjen shumë turp kur na thonë kështu kur jam me vëllain dhe me mamin. Më ka marrë shumë malli për motrën dhe vëllain e madh se mami nuk mundet dot të mbajë katër fëmijë. Dua të jemi të gjithë bashkë. Jam e lumtur kur kam gjithë familjen time bashkë”,-thotë Estela 7 vjeç mes lotëve.

Më i vogli, vetëm pesë vjeç thotë se rrobat nuk i bëjnë më.

“ Unë jam pesë vjeç, por këto pantallonat më rrinë të vogla. Jane të grisura, atlete nuk kam”

Por problemi i vërtetë për këtë familje është fakti se jetojnë në një banesë me qira, në kushte të vështira. Aida thotë se ëstë detyruar të shesë miellin që kishte për bukë, vetëm që t’i sillte në shtëpi fëmijëve pak qumësht. E për ta ‘nxirë’ edhe më shumë situatën, Estela 7 vjeçare vuan nga epilepsia, e shpesh herë ndodh që Aida të mos ketë para për t’i blerë mjekimet.

Aida: Kur vjen vakti të hamë bukë, unë s’kam , u them fëmijëve do ta shtyjmë për nesër, do hamë më vonë. Ngaqë nuk kam ua shty edhe vaktet. Një ditë vajza më kërkoi një ditë qumësht dhe nuk kisha. Kryetari më kishte sjellë një thes me miell, unë shita atë thesin e miellit tek furra e bukës që u bleva fëmijëve qumësht. Nuk kisha asnjë gjë në frigorifer. Fëmijët më kërkonin ushqim. Vetëm makarona nuk mund tu bëj përditë.

Kur shita thesin e miellit sigurova të paktën dy ditë qumësht, pak djath.

Vajza e vogël Estela është me epilepsi, është me ilaçe, nxjerr shkumë nga goja kur e zënë krizat e i dridhet trupi, nxihet, i deformohet trupi. E çoj në spital kur e zënë krizat, u thashë që i kisha ndërprerë ilaçet. Mjekja më tha se vajzës për asnjë moment nuk duhet t’i ndërpres medikamentet. Por unë nuk mundem dot t’ia siguroj. Nuk mundem dot as të blej një bukë 60 ose 70 lekë, jo më t’i siguroj asaj ilaçet. Dhe vetë jam sëmurë kurën nuk e bëj dot 6 muaj, vetëm një muaj.

Por historia e trishtë e kësaj familje nuk përfundon këtu, pasi emisioni ‘Shqiptarët për shqiptarët’, i bën një suprizë Aidës dhe fëmijëve. Të tre së bashku dalin nga shtëpia e tyre me qira për të hyrë brenda një banese ku i pret Elvis Naçi e Sidrit Bejleri. Naçi i jep lajmin e mirë se shtëpia është e tyre, falë kontributeve të shqiptarëve.

Naçi: Ta gëzoni, të të rriten fëmijët të lumtur, se nuk e keni me qira tani.

Aida: Nuk mund ta besoj dot

Naçi: Keni kaluar shumë vështirësi, por kjo është mrekullia e shqiptarëve

Estela: Nuk e di si ta shpreh emocionin, nuk e di.

Falenderoj të gjithë shqiptarët për këtë shtëpi të bukur. Kurrë nuk e kam parë këtë shtëpi kaq të bukur.