“Më ka marrë malli të vrapoj! Më ndihmoni të shpëtoj nga skolioza, s’dua të paralizohem”

 “Më ka marrë malli të vrapoj! Më ndihmoni të shpëtoj nga skolioza, s’dua të paralizohem”

Prej muajsh me dhimbje të forta në trup… është veçse 11 vjeçe

Që nga 26 nëntori i  vitit 2019 ajo jeton në çadër së bashku me të gjithë familjen. Tërmeti ia shkatërroi shtëpinë në fshatin Mënik të Tiranës.

Klementina Lena është e prekur nga skolioza.

Klementina: Jam në klasën e pestë. Kam probleme me shtyllën kurrizore. Xhaxhi dhe nëna më çuan tek spitali. Mjekët thanë që kisha skoliozë, 64 gradë e kam shtyllën… që nga ai moment, shumë jam mërzitur.

Lot i dalin kur thotë se e ka marrë malli të vrapojë si gjithë fëmijët e tjerë, të mund të luajë me shoqet. Sëmundja po i përkul trupin dhe nëse nuk operohet, me gjasë do të mbetet e paralizuar.

Klementina: Kam qenë shumë normale… por tani skolioza më ka ndryshuar. Më ka marrë malli që të vrapoj, të rri me shoqet. Doktori ka thënë që nëse nuk operohesh, do të paralizohem. Unë kam shumë se mos paralizohem. I lutem Zotit që të mos më ndodhë… ëndrra ime më e madhe do të ishte të shërohesha, të bëhesha si të gjithë shokët e shoqet e mia

Nëna e saj e ka humbur shpresën. E zhytur në ankth e mërzi, ajo thotë se nuk ka ku të përplaset. Paratë për operimin nuk i kanë, janë të varfër.

Nëna: Për gocën më ka përvëluar shpirti… kush e ndihmon atë, veçse Zoti i madh. Kush e ve dorën ne zëmër për atë… (qan) po nuk kam ku shkoj, nuk kam ku të përplasem

Klementina: I lutem shumë të gjithë shqiptarëve që të më ndihmojnë, ju lutem, ju lutem, dua vetëm të shërohem.

“Shqiptarët për Shqiptarët” i janë përgjigjur menjëherë lutjes së vogëlushes. Stafi i emisionit udhëton drejt Mënikut për të përcjellë Klementinën drejt spitalit. Ajo do të operohet për t’i shpëtuar sëmundjes.

Nëna e zgjon të bijën dhe i thotë lajmin e mirë. Kjo grua e vuajtur nuk i mban dot lotët kur e çon të bijën. Tashmë ka shpresë se e Klementina do të shohë ditë të bardha.