“Më ke dhënë forcë” Para operimit, Ketiana takon 11 vjeçaren që u shpëtua nga shqiptarët

 “Më ke dhënë forcë” Para operimit, Ketiana takon 11 vjeçaren që u shpëtua nga shqiptarët

Dy javë më parë, emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” solli historinë e Ketianës, një 20 vjeçareje që prej vitesh përpëlitej nga një sëmundje që i kishte rrëmbyer të gjithë fëmijërinë.

Prindërit e Ketianës ishin munduar të bënin gjithçka… aqsa babai i vajzës, Shpëtimi, kishte menduar të shiste organet e trupit që ta çonte vajzën në operim për t’i shpëtuar skoliozës.

Gjendja e Ketianës ishte e rëndë.

Shqiptarët për Shqiptarët iu përgjigjën thirrjes së saj për ndihmë. Së bashku me shqiptarët bamirës, shuma e nevojshme për operimin e saj u arrit. Para se të vinte në Tiranë, Ketiana takon drejtoreshën e shkollës dhe shokët e shoqet e klasës. Një përqafim i ngrohtë, me shpresën se gjithçka do të shkojë mirë.

Ketiana mbërriti në spital dhe teksa shkoi në dhomën e saj, pa Klementinën. 11 vjeçarja vuante po ashtu nga skolioza dhe u operua falë ndihmës së “Shqiptarët për Shqiptarët”. Ketiana e takon 11 vjeçaren, për t’i thënë se forca e saj e ka inspiruar dhe dhënë guximin e nevojshme për t’u përballur me operimin e jetës.

Ketiana: Klementina si je tani, a je më mirë?

Klementina: Mir.

Ketiana: Mir dhe unë. Më dhe shumë forcë kur të pash duke ecur në korridor.

11 vjeçarja: Zoti të ndihmoftë

Ketiana: Jemi dy vajza që vijmë nga qytete të ndryshme dhe kemi të njëjtën sëmundje. Kjo sëmundje na ka torturuar për shumë kohë. Fati na pruri në të njëjtin spital dhe kemi qenë me fat që neve të dyja na ndihmuan Shqiptarët për Shqiptarët dhe Zoti.

A kishe frikë kur hyre në operim?

11 vjeçarja: Po kisha pak. Por u gëzova që gjithka shkoi mirë.

Ketiana: Më ke dhënë shumë forcë Klementina.

11 vjeçarja: Mos kij frikë fare

Ketiana: Jam e sigurt se do ia dalim. Kur të ikim nga spitali, jam e sigurt se do të dalim me trupin e drejtë.