Misteri i dy gropave masive në afërsi të Syrit të Kaltër

 Misteri i dy gropave masive në afërsi të Syrit të Kaltër

Në mesin e muajit mars në afërsi të Syrit të Kaltër në Sarandë, u shfaq papritur një gropë e madhe me diametër rreth 10 metra e thellësi të konsiderueshme.

Gropa u konstatua nga banorët e fshatit Dhrovjan, të cilët më pas lajmëruan autoritetet policore. Zona u rrethua dhe banorët e fshatit menduan se do të ishte një episod i veçuar për shkak të reshjeve të mëdha të shiut.

Por ditën e djeshme një tjetër gropë është hapur në po të njëjtën zonë. Si ajo e muajit mars edhe kjo gropë ka një thellësi të konsiderueshme dhe një diametër prej rreth 10 metrash.

Ende nuk është e qartë se përse dhe si ka ndodhur kjo fundosje e dheut.

Një prej banorëve të zonës foli për mediat (në mars), duke thënë se në këtë lëndinë, në kohën komuniste, ka patur një minierë kripe dhe e gjithë fusha ka qenë e ndarë në dhoma- dhoma për nxjerrjen e përpunimin e kripës.

“Shkova rastësisht dhe e pashë. Ajo gropë s’ka qenë më parë. Kjo ka qenë minierë kripe dhe shfrytëzohej në monizëm. E tërë fusha ashtu është. Nëse futet përroi aty brenda mund të bjerë komplet. Nën të është përpunuar kripë” tha i moshuari.