Momentet përlotëse kur tre fëmijët e paralizuar nisen drejt Kosovës për të kryer operacionet

 Momentet përlotëse kur tre fëmijët e paralizuar nisen drejt Kosovës për të kryer operacionet

Se çfarë dhimbjesh kishte provuar Lirie Idrizi, tashmë e kanë mësuar të gjithë shqiptarët.

Por janë po shqiptarët ata që dhimbjet e kësaj nëne me tre fëmijët të paralizuar, nuk do t’i lënë më në shpirtin e Liries. Brenda javës, fondet për të ndihmuar Gëzimin, Arlindin dhe Adin janë grumbulluar tashmë.

Elvis Naçi shkon sërish për vizitë në familjen në Sukth për t’i dhënë lajmin e madh se tashmë është gjithçka gati për t’u nisur drejt spitalit në Kosovë, që ka marrë përsipër të kryejë operimet tek djemtë.

Në hyrje të shtëpisë, Elvisin e pret djali i vetëm i kësaj familje, që nuk ka patur fatin e keq të vëllezërve të tij.

Elvisi: Jeni gati të ikim apo jo?

“Po gati”-thotë një prej vëllezërve të paralizuar.

“Zoti i shpërbleftë të gjithë shqiptarët”- i thotë gjyshja Elvisit. Kjo grua e moshuar është prekur jashtë mase nga mirësia e shqiptarëve.

Elvisi: Pyetëm edhe ne tek spitali, e shpresat janë të mëdhaja. Tani mbetet që ëndrrën ta bëjmë realitet. Inshallah bëhet sebet që të shihni ditë të gëzueshme e djemtë të çohen në këmbë.

Tashmë gjithçka është gati dhe djemtë do të nisen. Babai e nëna vënë në punë duart, këmbët e kurrizin. Mbajnë peshë këta djem të vuajtur, me shpresën se kushedi kjo do të jetë hera e fundit që do t’i shohin fëmijët në këtë gjendje… e se ditë më të mira do të vijnë.

Në shtëpinë në Sukth, janë mbledhur familjarët e me ta bashkë dhe shumë lotë për largimin e tre djemve drejt sallave të operimit. Ama veç lotëve, kësaj here ka një shpresë të madhe për këta vëllezër të vuajtur.