Momentet prekëse, shokët e shoqet vizitojnë Kristinën e prekur nga tumori

 Momentet prekëse, shokët e shoqet vizitojnë Kristinën e prekur nga tumori

Ishin mësuar ta shihnin të buzëqeshur. Përherë ka qenë një vajzë e shkathët, e dashur me të tjerët. Por sëmundja e rëndë ia mori të gjitha.

“Vuan nga tumoret të cilat i ndodhen në kokë, prapa veshit… pothuaj tre vite ka që vuan nga kjo sëmundje. Gjendja është përkeqsuar shumë vitin e fundit.”-thotë një nga shoqet e Kristinës.

“Sot më shumë se kurrë, ajo ka nevojë për shokët e shoqet e saj. Prandaj mendoj që të shkojmë për një vizitë tek ajo, të shohim si është Kristina.”-thotë shoqja e universitetit.

‘Shqiptarët për Shqiptarët’ shkuan në Elbasan për të takuar shokët e shoqet e Kristinës, të cilët janë nisur drejt banesës së saj për t’i bërë vizitë. Shoqet e saj më të afërta e përqafojnë me mall. Ka momente që lotët u dalin vetiu, kur i flasin Kristinës dhe ajo nuk mundet t’i kthejë përgjigje.

“Jemi këtu për të motivuar Kristinën, për t’i thënë se do jemi këtu dhe do ta mbështesim gjithmonë. Mbaj mend që ajo ka qenë shumë e shkathët, shumë vitale dhe shumë sociale… më mungon gjithçka rreth saj.”-thotë shoqja e Kristinës.

Gjyshe Ruzhdia ndodhet aty pranë. Sytë i rrudhen nga lotët. Sheh mbesën që kërkon t’i përgjigjet shoqeve, por s’mundet. Çfarë dhimbje ia përshkon trupin, vetëm ajo mund ta dijë.

“Jeta më ka dënuar keq me Kristinën, më ka plagosur rëndë. Nëna nuk ka fjalë, jam mpirë. Kur ju shoh juve këtu që na mbështesni, Zoti ua shpërbleftë, ju nderoftë… dhe ishalla edhe Kristina ime çohet në këmbë bashkë me ju”-thotë në lot e moshuara.

“Ne tani po çohemi. Ishte kënaqësi dhe jam i bindur që Kristina do të shërohet, që shqiptarët kudo ndodhen do ta ndihmojnë e do t’i japin forcë. Ne do të jemi përkrah teje kurdo që ke nevojë.”-thotë shoku i Kristinës.

Gjyshe Ruzhdia: Faleminderit, Zoti ju bekoftë