“Mos u mërzit, ne…” Momentet kur gjyshja çon në operim mbesën e prekur nga tumori

 “Mos u mërzit, ne…” Momentet kur gjyshja çon në operim mbesën e prekur nga tumori

Të gjithë derdhën lot për Kristinën. 19 vjeçarja nga Elbasani po shuhet ngadalë prej kancerit në kokë. E folura dhe dëgjimi i kanë ikur.

Emisioni ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ e përcolli historinë e saj, fillimisht në rrjetet sociale e më pas këtë të premte. Shqiptarët iu përgjigjën lutjes së gjyshes së Kristinës, të cilës i ra barra e rëndë për t’u kujdesur për mbesën e sëmurë rëndë.

Udhëtuam sërish në Elbasan, kësaj herë për të sjellë Kristinën drejt Tiranës. Më në fund Kristina do të mund të hyjë në sallën e operimit, për t’i shpëtuar sëmundjes që i robëtoi jetën.

Pak momente para operimit, gjyshe Ruzhdia i qëndron tek këmbët mbesës. E ledhaton dhe i jep shpresë… mundohet ta ‘mbulojë’ me forcë dhe fjalë të mira.

Ruzhdia: Nuk e mendoja se Kristina do të operohej. Kam një vit e kusur që pres. Por Kristina do të hyjë në operim. Zoti i dha forcë për veten, për mamin e saj dhe për mua. Jam e lumtur dhe e trishtuar se nuk është diçka e thjeshtë operimi, është thikë në trup. Emisioni ‘Shqiptarët për Shqiptarët’… Zoti ju nderoftë dhe shpërbleftë për atë që bëtë për Kristinën time.

Dhe tashmë vjen momenti. Kristina niset drejt sallës së operimit. Gjyshe Ruzhdia ndjek me hap të shpejtë barrelën dhe qan… këto janë fjalët e fundit që i thotë mbesës, përpara se ajo të hyjë në sallë.

“Ti je e fortë… do ia dalim zemër, do ia dalim… mos u mërzit se nëna këtu është, nuk të lë, këtu do të të presë…”