Mposhti kancerin, historia e 9 vjeçarit që mbledh donacione për fëmijët që luftojnë sëmundjen

 Mposhti kancerin, historia e 9 vjeçarit që mbledh donacione për fëmijët që luftojnë sëmundjen

Prej dy vitesh luftoi kancerin dhe tashmë duket se prej trupit të tij nuk do të ketë më qeliza që sjellin vdekjen. Por që nga dhjetori i vitit 2018 e deri më sot, ky 9 vjeçar vijon të mendojë për ata moshatarë që patën apo po vuajnë të njëjtën sprovë që ai kaloi.

Në vitin 2018 vogëlushi u mundua t’i bëjë dhurata një tjetër fëmije që kurohej në të njëjtin spital. U bë shok me të dhe i bleu një dhuratë për Vitin e Ri.

9 vjeçari jeton në SHBA dhe quhet Kallan (Callan). Dhe tashmë që mposhti kancerin, po kujdeset që t’ja gëzojë ditën fëmijëve të tjerë. Sa më shumë të mundet, aq më mirë.

“Më pëlqen t’i ndihmoj njerëzit” tha për median amerikane 9 vjeçari, i cili ka nisur të grumbullojë donacione për t’i dhuruar për fëmijët me kancer që kurohen në spitale.

Madje 9 vjeçari po organizon me familjen e tij një eveniment (me ecje, vrap ose çiklizëm) në mënyrë që të mbledhë paratë. Objektivi i tij është modest, të mbledhë rreth 2100 dollarë, por zemra e tij është e madhe dhe një shembull për t’u admiruar.