“Na ndihmoni të dalim nga ky ferr” Historia tragjike e të moshuarit, i ngujuar në shtrat prej 15 vitesh

 “Na ndihmoni të dalim nga ky ferr” Historia tragjike e të moshuarit, i ngujuar në shtrat prej 15 vitesh

Po punonte tokën kur papritmas u rrëzua. Një ndër ditët më të rënda të jetës së tij, që do të hapnin siparin e një dhimbje që vështirë të rroket. 5 orë qëndroi i shtrirë në tokë, duke thirrur për ndihmë. Këmbët e trupi nuk i përgjigjeshin.

Kanë kaluar 15 vite nga ajo ditë dhe jeta e Nazifit, sot 63 vjeç, ka kaluar në një kalvar dhimbje dhe sfilitje. Ky shqiptar jeton në një fshat të thellë të Gramshit, në Holtas. Atje ai është ngujuar prej 15 vitesh në regjim shtrati. Nuk mund të lëvizë këmbët, duart, thuajse asgjë.

Nazifi e tregoi historinë e tij të dhimbshme përmes emisionit “shqiptarët për shqiptarët”. Thotë se as dritën e diellit nuk e sheh, kurse koha për të është kthyer në një nocion të çuditshëm që nuk ka asnjë lloj lënde.

Nazif Llapushi: Kam 15 vjet që qëndroj shtrirë, në krevat… i paralizuar nuk lëviz. Kam dhimbje tek kyçet e këmbët, duart nuk i lëviz dot… rri kështu, vetëm në këtë krah. Ta mendosh qysh si ka ma ardhur në këtë ditë. Kam qenë duke punuar tek toka dhe përnjëherë, rash në tokë. Kam ndenjur 4-5 orë në tokë atje, derisa erdhën dhe më gjetën. Kam shkuar në spital dhe ndenja 15 ditë atje. doktori më tha kjo sëmundje njëherë në 100 vjet bie… më ra mua.

Gruaja e tij Majlinda është ajo që kujdeset mesa të mundet për të shoqin. Paratë dhe mënyra e jetesës në këtë zonë të thellë të Gramshit është e vështirë aqsa dhe i ftohti. Majlinda kërkon vetëm një gjë, të shpëtojë nga një ferr që duket sikur nuk ka fund.

Gruaja: Fëmijët e mi kërkojnë bukë të hanë, nuk kam…ju lutem na ndihmoni të shpëtojmë nga ky ferr, nga ky makth!

Vajza dhe djali i Nazifit po ashtu janë dorëzuar para këtij fati të kobshëm.

Vajza: Nuk kemi as çfarë hamë. Situata është shumë e keqe, babai është shumë sëmurë.

Djali: Do kisha dashur një jetë tjetër… shumë keq është, por ky fat na ra!

Por më e rënda e gjithë historisë së Nazifit është momenti kur ai sëmuret rëndë dhe i duhet të shkojë në spital. Duhet të bëjë rreth dy orë rrugë nga fshati drejt e në Gramsh. Fatmirësisht, banorët e zonës janë solidarizuar me të dhe e kanë marrë përsipër që të mblidhen së bashku për ta ndihmuar. Ata vijnë në banesën me qira ku jeton Nazifi dhe e mbajnë në krah me një barrelë. E lidhin me litar dhe më pas në krah për orë të tëra. Pamjet e këtij shqiptari janë të dhimbshme.

Nazifi thotë për emisionin “shqiptarët për shqiptarët” se shpesh herë përlotet. Pyet veten e mbase perëndinë ku ai beson, se çfarë faji ka bërë që jeta e ka përplasur në këtë mënyrë.

Nazifi: Jeta ime është ferr që nga ajo kohë. Kam aq dhimbje saqë nuk i duroj dot më. Spitali është shumë larg. Shkoj me barrelë. Fshatarët këtu në zonë më kanë ndihmuar, më kanë çuar me barelë.

Unë ilaçe marr, pa to nuk rri dot. Me zorrën e trashë vuaj, bllokohem shpesh e lekë duhen shumë për t’u vizituar.

Shtëpinë nuk e kam timen, e imja u prish, u shkatërrua… jetoj me qira. Jam mërzitur shumë, por nuk kam çfarë të bëj. Rri e rri e qaj… rri e qaj, gjumë natën nuk bëj.

Unë nuk kam bërë, bëhem shumë keq kur mendoj se nuk kam bërë asnjë faj në këtë botë. Nuk shoh diell fare, kam kaq kohë që e kam humbur konceptin e kohës.

Fqinjët e tij, të cilët janë njëkohësisht dhe “herojtë” që shpesh e kanë shpëtuar nga sëmundja, thonë se nuk kanë parë kurrë diçka kaq të dhimbshme. Njëri prej tyre, i prekur, thotë se Nazifi nuk sheh më as dritë, kur ikën dimri e kur vjen vera.

Fqinji: Ai rri vetëm shtrirë, nuk sheh nëse doli dimri apo erdhi vera. Mendoj se ai duhet të strehohet në një banesë të re afër spitalit. Gjynah është, ai dhe familja e tij.