“Na thanë vajza nuk e ka t’gjatë” Rrëfim i një nëne të përvuajtur që rrit dy jetime

 “Na thanë vajza nuk e ka t’gjatë” Rrëfim i një nëne të përvuajtur që rrit dy jetime

E gjithë jeta e kësaj gruaje ka ecur në paralele me ditë të zeza, humbje të mëdha dhe lodhje që kurrë nuk kanë pushuar.

Vida Ndreaj quhet dhe jeton në këtë kasolle të shkretë, në mes të hiçgjësë…Të shoqin e humbi 7 vite më parë dhe barra u shtua edhe më shumë.

Vida:  E kërkojnë fëmijët babain. Ai ma ka lënë vajzën e vogël 1 vjeç. Më thotë vajza pse nuk kemi ne një baba, të gjithë e kanë… Jetojmë në kushte shumë të vështira, në një dhomë shtëpi. Lagështirë ka, çfarë bie jashtë futet brenda.

Vida tregoi për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” vuajtjet që e përndoqën jetën e saj. Në veçanti ato me vajzën 15 vjeçe, e sëmurë. Qëkur Jurgena ishte fare e vogël, u përball me spitalet. Doktorët në Lezhë e Tiranë, i thanë se fundi ishte afër. Kjo nënë s’mund ta pranonte këtë fat dhe u nis drejt Greqisë për t’i shpëtuar jetën të bijës.

Vida: Kam kaluar shumë vështirësi në jetë. Fëmijët… fëmija i sëmurë më ka lodhur shumë. Qëkur lindi në muajin e 7 nëpër spitale, në Lezhë, në Tiranë, derisa doktori na tha se fëmija ka 24 orë jetë. Nuk kam pritur me marr pashaportat dhe kemi shkuar në këmbë. Morëm rrugën në këmbë për në Selanik. Serumet i kishte nga këmba në kokë, ishte e shpuar gjithandej. Na kapi policia, mua me vajzën na çuan në spital. Nuk mbajtën përgjegjësi se thanë do të na vdesë në dorë. Kurse djali shkoi në paraburgim, ndërsa neve na dërguan tek spitali në Selanik. Kemi shkuar atje dhe nuk na dhanë shpresë. Doli me fribrozë, epilepsi e plot gjëra tjera. Donin ta çonin në Gjermani, por ne nuk përballonim dot as avionin për ta çuar.

8 vite qëndruan atje dhe në jetë erdhi dhe Jonida e vogël, sot 9 vjeçe. Por vështirësitë në emigrim bënë që Vida të rikthehej në Shqipëri, sërish tek kjo kasolle e vogël, por tashmë edhe më e vetme se kurrë.

Vida: Erdhëm këtu, në këtë dhomë me blloqe betoni dhe asgjë tjetër. Këtu fle, këtu i laj fëmijët, këtu gatuaj, të gjitha. Asnjë lloj ndihme s’kemi, me një përkrahje 40 mijë lekë. Jemi në mes të pyllit

Jurgena vijon të jetë e sëmurë. Vida mundohet me mish e shpirt. Pas të shoqit, edhe djali i saj i madh u largua. Nuk e përballoi dot më varfërinë e tejskajshme dhe u nis për një jetë më të mirë. Prej kohësh kjo grua nuk flet më me të birin, nuk e di si është apo ku ndodhet.

E vetmja që e ndihmon Vidën, është Jonida e vogël. Kjo nënë iu drejtua emisionit dhe shqiptarëve, me thirrjen për ndihmë.

“Të paktën të kenë një banesë fëmijët, ku të mos kenë ftohtë.”-lutet nëna.