“Natën roje, ditën mbledh bimë mjekësore” Rrëfimi i të moshuarit shqiptar që nuk i ndahet punës

 “Natën roje, ditën mbledh bimë mjekësore” Rrëfimi i të moshuarit shqiptar që nuk i ndahet punës

“Punë po deshe ka… por njerëzit nuk punojnë, nuk kanë qejf”

Kështu tregon me të qeshur, një burrë nga Librazhdi, i cili moshën e pensionit e ka lënë ‘prapa’ më shumë se një dekadë më parë. Abedin Kojku është njohës i mirë i bimëve që na fal natyra… e natyra shqiptare ka plot bimë të cilat mund t’i përdorësh për mjekim.

Kështu bën Abedini, sot 77 vjeçar. Del paradite dhe merret me mbledhjen e luleve e bimëve mjekësore, të cilat më tutje i than dhe i shet përkundrejt fitimit. E përveçse punës me bimët mjekësore, i moshuari punon edhe si roje natën.

“Nuk ke mundësi të bësh gjë? Mblidh dushk, qarr,…. E than dhe e shet 20 mijë lekë kuintali (kv).

Kjo bimë këtu është mjekësore (foto poshtë), për tensionin e lartë. Ka për veshkat, reumatizmën etj… Mbledh bar blete, hithra për reumatizmë. Që në kohën e Enverit mbledh. Pasdite shkoj në punë natën, punoj roje. Punë ka po deshe, por njerëzit s’duan të punojnë, nuk kanë qejf”-tregon 77 vjeçari, në një intervistë për abcnews.al

I moshuari tregon se mbledhja e përkujdesja ndaj bimëve është e lodhshme, por edhe fitimi nuk është i pakët. Ai tregon se arrin të fitojë rreth 6 milionë lekë të vjetra në vit vetëm prej shitjes së bimëve mjekësore.

77 vjeçari sot është i ve, por e kujton me mall të shoqen e ndjerë, me të cilën u martuan qëkur ishin ende adoleshentë. Historia e tij dhe Zybës, së shoqes së ndjerë, i ngjante filmave, pasi të dy ishin ndër të parët traktoristë të Librazhdit.

“S’kishte traktoriste Librazhdi, gruaja ime ishte e para. Ja mësova, unë punoi u përgatit dhe mori patentë. Kur u shtuan traktoristet gra ajo u largua dhe nisi punë magaziniere në SMT”.