Nëna e tre jetimëve fluturon nga gëzimi! Pas vuajtjeve pafund, lutjet e saj bëhen realitet

 Nëna e tre jetimëve fluturon nga gëzimi! Pas vuajtjeve pafund, lutjet e saj bëhen realitet

Historia e kësaj nëne ishte e dhimbshme. Me tre jetimë për të rritur dhe të shoqin tashmë të ndjerë, Brunilda i tregoi emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët” të gjithë kalvarin e vuajtjeve që përjetonte.

Fatma Naçi e Meri Bejleri shkuan për vizitë tek familja Hysa. Kur Brunilda i shikon nga dritarja hidhet në lot gëzimi. I thotë gjyshe Tixhes se lutjet iu dëgjuan, pasi ka ardhur në derën e tyre emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët”.

Fatma e Meri ulen në dhomën e ndenjes, e vetmja që ka mbetur në këmbë nga banesa e tyre e rrënuar. Një ditë para ardhjes së Fatmës e Merit, dhoma ku flinin fëmijët ka nisur të shembet mbi vete. Tavani është gati duke rënë.

Fatma: Ty nënë Tixhe të ka rënë një sprovë dhe duhet ta përballosh.

Gjyshe Tixhja: Zoti ju ruajt, ju bekoftë për nënëzezën.

Fatma: Brunilda si ke jetuar këtu?

Brunilda: Shumë shumë keq. Të gjithë si familje jemi shumë keq. Këtu nuk jetohet asnjë minutë, e jo më një jetë.

Fatma: Si i mban fëmijët me ushqim Brunilda, si ia del?

Brunilda: Kemi jetuar me çfarë na kanë dhënë njerëzit tonë. Ata që kanë ndarë thesin e miellit me ne, se janë në hall për vete. Kemi pak miell e një pako me makarona… asgjë tjetër.

Meri: Djalin me djep… këtu laheni, flini e rrini?

Brunilda: Po po, këtu kemi mbetur. Im shoq ishte e vetmja shpresë. Ai të paktën i shihte fëmijët, por tani… unë nuk kam asnjë lloj gjëje. Ai ishte roje, merrte 200 mijë lekë. Pak janë por për ne ishin shumë. E vetmja gjë që i lutem Zotit ditë për ditë, është fondacioni juaj. E vetmja shpresë. Ne të gjithë jemi me halle.  Në rrimë këtu me nënën, qajmë të dyja. Të kisha mundësi të punoja, do të punoja edhe natën, por këtu vdes, nuk ka asgjë.

Meri e Fatma i thonë nënë Tixhes e Brunildës, se që atë moment, do të largoheshi nga ajo shtëpi.

Meri: Ne kemi ardhur që t’ju marrim me vete nënë.

Fatma: Do të shkojmë me një vend më të bukur se ky.

Brunilda fluturon nga gëzimi, ndërsa vogëlushët ende nuk e kanë kuptuar. Gjysh Hatixheja thotë fjalë zemre.

Gjyshja: Sa tjem gjallë do t’ju bekoj ju keqen nëna. Zoti qoftë me ju që jeni kujtuar për këta fëmijë.

Të gjithë nisen drejt një vendi më të mirë. Kjo familje ka pak gjëra për të marrë vete… vetëm atë foto që qëndronte në krye të shtëpisë. Foton e të shoqit të Brunildës.

Fatma, Meri e familja Hysa mbërrijnë në një pallat në Krujë. Fatma i dorëzon çelësin e shtëpisë Brunildës.

Shikoni pamjet e shtëpisë së re për tre jetimët.