“Nëna ma mësoi zanatin” Të qëndisësh kostumet tradicionale: Të huajt i vlerësojnë më shumë

 “Nëna ma mësoi zanatin” Të qëndisësh kostumet tradicionale: Të huajt i vlerësojnë më shumë

Të qepësh e qëndisësh kostumet tradicionale shqiptare është një punë e vështirë dhe e lodhshme. Zanati i punimeve artizanale është i pakët në Shqipëri, e si i tillë edhe më i vlefshëm për të ruajtur të gjallë traditën.

Në Gjirokastër gjen një prej grave që këtë zanat e ushtrojnë përgjatë brezave. Eli Zhulati thotë se prej vitesh bën punime artizanale dhe mundohet të ruajë me fanatizëm origjinalitetin e kostumeve tradicionale. Në një prononcim për median, ajo tregon se zanatin e trashëgoi nga nëna e saj.

“Lindi nga një dëshirë nga familjarët e mi. Me pak mundim, me kokëdhembje e kryeneçësi, thashë do ta bëj. Fjala ishte e lehtë, por përpara faktit ishte shumë e vështirë. Megjithatë, për të mos e ulur hundën themi ne gjirokastritët, u mundova, u stërmundova dhe e realizova”

Në punishte Eli realizon punime artizanale që i përkasin zonave të ndryshme. Të huajt duket se janë më të interesuarit. Eli thotë se kur ata porosisin apo veshin kostumet tradicionale, e kuptojnë se në trup kanë vendosur vlera.

“Ka nga ata që bëjnë porosi e u dërgohet në adresën e tyre. Në pamundësi, vijnë dhe e veshin një kostum me të 12 elementët. Ndryshe nga ne, ata dinë të vlerësojnë, thonë vërtet se kam veshur një vlerë. Kurse ne na duket një rutinë, erdhi e u vesh, bëri ca foto, bëri dhe një pagesë modeste edhe iku. Por ata vërtet e thonë, unë kam veshur vlerë”

Mes shumë veshjeve, Eli tregon për fustanellën e Gjirokastrës, e cila mbetet një prej krijimeve që tërheq vëmendjen, kjo për shkak të bukurisë e kompleksitetit të punimit.

“Kjo fustanellë ka 500 elementë. Nuk është një copë e drejtë e ildisur, por ka 500 elementë të qepur një nga një. Karakteristikë është se jo të gjithë elementët kanë të njëjtat masa. Kështu e kam gjetur pranë muzeve dhe kështu dua ta mbaj.”