Nëna mendonte se 5 fëmijët dhe i shoqi kishin vdekur… derisa i gjen “rastësisht” në shtet tjetër

 Nëna mendonte se 5 fëmijët dhe i shoqi kishin vdekur… derisa i gjen “rastësisht” në shtet tjetër

Viti 2017. Familja 7 anëtarëshe e Abdul Salam Al Khawien ishte në shtëpi, në momentet kur avionët nisën të bombardojnë fshatin Danas në Siri, fare pranë qytetit të Idlib-it. Që nga viti 2011, Abdul kishte ndërruar 28 herë shtëpi e në shumë raste, me të shoqen kishte jetuar në tendë.

Nëna e 5 fëmijëve, Kariman, kishte shkuar për të blerë ushqime në pazar, në momentin kur një prej bombave ra aty pranë dhe hodhi gjithçka në erë. Dhjetëra ndërruan jetë, ndërsa ajo mbeti pa ndjenja për shkak të shpërthimit të fuqishëm.

Kariman u dërgua në spital dhe javët në vazhdim qëndroi atje për t’u kuruar. Ndërkohë i shoqi, i cili nuk e kishte gjetur gruan, ishte bindur se ajo kishte ndërruar jetë. Kishte vendosur që të largonte sa më parë fëmijët nga Siria.

(AP Photo/Giannis Papanikos)

Kështuqë ishte nisur në këmbë drejt kufirit me Turqinë, me shpresën se do të kalonte në Greqi. Kariman po ashtu ishte bindur se kishte humbur fëmijët dhe të shoqin, derisa një ditë gushti (2019), vëllai i saj zbuloi një profil në rrjetin social me një foto të djalit të madh, Hamza-it. Llogaria ishte hapur nga i shoqi, i cili kishte arritur të shkonte në Greqi pas 4 tentativash të dështuara. Në tentativën e 5-të dhe pasi u kishte paguar 5 mijë euro kontrabandistëve, Abdul kishte mundur të mbërrinte në një kamp në Greqi së bashku me fëmijët. Burri kishte fituar azil.

E shoqja e kontaktoi në rrjetin social.

“Kisha një ndjenjë të mirë atë ditë. E kur pashë mesazhin e time shoqeje desh u çmenda prej lumturisë. Fëmijëve nuk u thashë, mensova se do të ishte më mirë ta mësonin se nëna e tyre ishte gjallë, kur ajo të vinte këtu”-tha për Associated Press Abdul, 37 vjeçar.

E kur fëmijët e pyesnin përgjatë gjithë kësaj kohe se ku ishte nëna e tyre, Abdul i tregonte se ishte në Siri dhe se do të vinte shumë shpejt.

“Pa çka asaj që i thoja, fëmijët e dyshonin se nëna e tyre ishte e vdekur… dhe unë vetë, i kisha humbur të gjitha shpresat”-tregon 37 vjeçari.

Kariman, 32 vjeçare, vendos të marrë përsipër rrezikun për të shkuar në Greqi. Arrin të mbledhë paratë që do t’i duheshin për trafikun ilegal drejt Greqisë, e vetmja mënyrë për mijëra sirianë për t’ju shmangur luftës e mjerimit. Në herën e parë, autoritetet greke arrijnë të kapin varkën ku ajo qëndronte. Por në herën e dytë, më nëntor të 2020, ajo arrin të hyjë në Greqi.

(AP Photo/Giannis Papanikos)

“Hyra në një kafene në një fshat të Greqisë. Nisa të qaj. Më pyetën disa njerëz aty se nga vija. U thashë se isha siriane dhe ata më mirëpritën. Qëndrova aty me një grua që më dha një kafe. Më bëri të kuptoj se tashmë isha e sigurt, jashtë rreziku”-tha për AP, 32 vjeçarja.

Me ndihmën e njerëzve atje, Kariman mundi të kontaktojë me organizatën që pëkujdesej për emigrantët në bashkinë e Thesalonikisë. Flet me të shoqin dhe pasi regjistrohet në polici, familja bashkohet, pas 3 vitesh.

Koordinatori i azilit atje Manolis Zougos, tregoi se kurrë nuk kishte parë apo dëgjuar për një histori të tillë, në 17 vitet e tij të punës me refugjatë.

(AP Photo/Giannis Papanikos)
(AP Photo/Giannis Papanikos)