Nëna në gjendje kome “duhet të lejohet të vdesë”… familja pret mrekullinë nga lart

 Nëna në gjendje kome “duhet të lejohet të vdesë”… familja pret mrekullinë nga lart

E prekur nga Covid dhe duke jetuar falë pajisjeve. Familja shpreson për një mrekulli, por gjykata ka vendosur ndryshe… gruaja duhet të lejohet të vdesë.

Ngjarja ka ndodhur në spitalin e Leiçesterit në Britani, ndërsa BBC raporton se 30 vjeçarja u shtrua në spital në gjendje të rënduar fill pasi lindi djalin e saj muajin e kaluar.

Sipas ekspertëve, 30 vjeçarja nuk mund të rikuperohet pasi organet kanë filluar të mos i funksionojnë. Në seancën gjyqësore të mbajtur pak ditë më parë, një ekspert mjekësor tha se pankreasi i saj ka ndaluar së funksionuari.

“Shanset që ajo të rikuperohet janë të vogla. Ne mendojmë se ajo ka arritur në një pikë pranë zero shanseve”-tha ai.

Por e motra e pacientes tha se e gjithë familja e saj është besimtare.

“Ne besojmë në një mrekulli. Ajo do të vdesë kur ta ketë shkruar Zoti, Që ne të dakordësojmë për të hequr prizën, kjo është njëlloj sikur t’i kërkosh dikujt të vrasë dikë’.

Gjykatësi nga ana tjetër vendosi që 30 vjeçarja të mund të lejohet të ndërrojë jetë, pasi evidencat e sjella nga doktorët tregojnë se “nuk po ruhet një jetë, por po tejzgjatet një vdekje”.

Gjyqtari shtoi se shpresa dhe jeta e kësaj nëne të re u shuan nga Covid dhe se ajo duhet të lejohet të ikë nga kjo botë me dinjitet.

“Familja pret një mrekulli… po flasim për një nënë të re e cila ndodhet në rrethana kaq të papërshkrueshme e të trishta. Objektivi nuk është t’i shkurtojmë jetën, por më shumë të parandalojmë zgjatjen e vdekjes së saj”