Nga “ferri” i tumorit e vdekjes së djalit, në parajsë! Falenderimi i një nëne për shqiptarët

 Nga “ferri” i tumorit e vdekjes së djalit, në parajsë! Falenderimi i një nëne për shqiptarët

Koha e kishte tërhequr zvarrë. Një sëmundje e rëndë po i konsumonte trupin, kurse varfëria po ia merrte shpresat.

Prej mëse një dekade jetonte me qira, me të shoqin e tre vajzat. Një gëzim i erdhi në jetë, një djalë. Por shumë pak zgjati lumturia e kësaj nëne. Djalin e humbi kur ishte fare i vogël. Na e tregoi dhe vendin ku ai mbylli sytë… në një banesë të vjetër e të shkatërruar.

“Ja atje flinte djali. Tek ai krevati atje… (qan) Qëkur humba djalin, nuk më bëjnë këmbët të vij këtu. Kujtimet janë shumë të këqija, vetëm vuajtje. Vetëm një palë çorape më kanë mbetur nga djali. Skisha një lek t’i bëja një foto. Në momentin kur dha shpirt me nguli thonjthë dhe kjo është e vetmja shenjë që kam nga im bir. Vetëm këtë kam kujtim nga ai, asgjë tjetër. Unë nuk dua jetë vetë… ta kisha dhe atë këtu nuk do doja asgjë.”-thoshte Lavdia.

Rrëfimi i Lavdie Maljas nga Fieri, u transmetua në emisionin ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ në tetor të 2019.

Falë shqiptarëve bamirës dhe emisionit, Lavdia hyri në operim dhe i shpëtoi sëmundjes (tumor beninj). Por shqiptarët s’mund ta linin një nënë me tre fëmijë në vatrën e varfërisë. Elvis Naçi e Sidrit Bejleri udhëtuan në Fier për t’i bërë një surprizë Lavdies… një surprizë për vajzën e aj 3 vjeçare, që kurrë nuk kishte festuar ditëlindjen.

Festa u bë në shtëpinë e re të Lavdies, pa dijeninë e saj. Sa momente të bukura kur Elvisi i tregon Lavdies se ishte duke qëndruar në shtëpinë e saj…

Dy vite kanë kaluar thuajse dhe ‘Shqiptarët për Shqiptarët.info’ shkoi sërish për të vizituar Lavdien. Ajo nuk mban paruken që sëmundja e ‘detyronte’ të vishte. Ka gëzim në sytë e saj dhe kur e pyet sesi i ka shkuar jeta në shtëpinë e re, thotë se ‘është në parajsë’. Vajzat, ende të vogla, na tregojnë për shkollën, ndërsa Lavdia ka një falenderim të veçantë për emisionin.