Ngjarje e shëmtuar në Fier, burri godet një grua pas debatit për motive banale

 Ngjarje e shëmtuar në Fier, burri godet një grua pas debatit për motive banale

Një ngjarje e shëmtuar dhe e pahijshme ka ndodhur pranë spitalit të Fierit, ku një burrë 55 vjeçar ka qëlluar disa herë me shkelma e pëllëmbë një grua.

Video e momentit u përcoll në rrjetet sociale e media, ku shihej sesi shtetasi i identifikuar me inicialet F.O, godiste një grua.

Pak orë pas qarkullimit të kësaj videoje në rrjet, policia ka shpallur në kërkim burrin. Autoritetet deklarojnë se përplasja mes tij e gruas ka ndodhur për motive banale.

 “Duke marrë shkas nga një video e publikuar në rrjetet sociale, ku një shtetas shfaqet duke dhunuar një shtetase, menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier u vunë në lëvizje për identifikimin dhe shoqërimin e personit.

Pas verifikimeve të kryera, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, identifikuan dhe shpallën në kërkim autorin e kësaj ngjarje, shtetasin F. O., 55 vjeç, banues në Fier, pasi nuk është gjetur në banesë gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia.

Ky shtetas, në datë 26.02.2021, rreth orës 12:30, në rrugën “Çamëria”, për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë fizike ndaj një 45-vjeçareje.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje.” -njoftojnë autoritetet.