“Nipin e rrëmbyen… i lutem Zotit njëherë ta takoj e pastaj të vdes, të shpëtoj nga vuajtjet”

 “Nipin e rrëmbyen… i lutem Zotit njëherë ta takoj e pastaj të vdes, të shpëtoj nga vuajtjet”

E sëmurë me zemër e prapëseprapë zemra e saj duhet të përballojë vuajtje çdo ditë. Në moshë të thyer e sërish trupi duhet të durojë të ftohtin.

Nënë Hajrien shpesh herë e gjen me sytë lart në qiell. I lutet Zotit, për një ditë pa sëmundje, për një vakt ushqim, për shpresë.

Në shtëpi e pret i shoqi, Nuzi Luga. Të dy të moshuarit jetojnë në këtë banesë 60 vjeçare, të cilën tërmeti i 26 nëntorit e përkulur tërësisht. Në banesë nuk ka asgjë, vetëm fryma e dy pleqve është i ngrohti që del prej aty. Muret janë hapur, çatia është çarë kudo dhe i ftohti i ‘flet’ përditë të moshuarve.

Jam e vuajtur shumë në jetë. E rraskapitur, nuk kam parë një ditë të mirë. Unë jam e sëmurë në zemër, në të gjitha anët. Burri është i sëmurë. Këtu brenda nuk rrihet, është shumë ftohtë, shtëpia ka lagështirë prandaj nuk jemi mirë ne nga shëndeti, ne mblidhemi në batanije të holla dhe flemë”-thotë 71 vjeçarja.

“Jetë e vëshirë, nuk po kalojmë dot. Tani dhe nga tërmeti u bë më vështirë. Këtu fryen kudo. Vallaj njeriu e përballon, por këtu e shihni vetë… këtu gjumi na zë ngjeshur me njëri- tjetrin.”-thotë Nuzi.

“U dëshirova të lahem me dush. Me kanaçe jam larë gjithë jetën. Shtëpia është 60 vjeçare. Me rastin e tërmetit u shemb dhe ngela kështu. Nuk kam para të marr një banesë me qira. Të marr ilaçet e zemrës, të tensionit apo të ha bukë… apo të paguaj drita e ujë. Nuk e kam menduar këtë vuajtje kurrë. Kam punuar tek magazina e zarzavateve. Pantoflat më këputeshin dhe i lidhja me tel… shumë kam vuajtur, shumë.

I lutem Zotit, edhe këto ditë se nuk i dihet sesa ditë na kanë mbet… që kjo shtëpi të rregullohet e t’i jetoj këto ditë e lumtur.”-shton nënë Hajria.

“Nuk dimë nga të shkojmë. Ja flemë këtu burrë e grua në pleqni. Pensionet i kemi të vogla, 150 mijë lejkë pension marr. Dhe gruaja aq merr e me ato ushqehemi, lajmë gatuajmë e paguajmë drita e ujë… nuk na dalin.

Po na zuri na zuri, me shpresën e Zotit, atij lart po rrimë. Por të paktën të mos vuanim, të iknim si të gjithë të tjerët.”-thotë Nuzi.

Por i ftohti dhe vuajtjet nuk janë të vetmet që i bluajnë shpirtin këtyre dy të moshuarve. Disa vite më parë, nipi i tyre 4 vjeçar u rrëmbye. Organet e drejtësisë nuk e zgjidhën çështjen, ndërsa nipi i të moshuarve nuk u gjet kurrë.

Nënë Hajria mbushet në lot. Thotë se ia ka ruajtur rrobat nipit… dhe shpesh herë i duket sikur e sheh në rrugë. Vuajtja e madhe i kthehet në një ‘mirazh’. Fytyrën e nipit e gjen në portretet e fëmijëve dhe i lutet Zotit që sikur vetëm një ditë, të mund ta përqafonte.

Nëna Hajria: Ja kam ruajt rrobat, i mbaj si kujtim rrobat e tij. E kam rritur me sakrificat, jepja gjakun e trupit për t’i blerë atij të gjitha.

Ia rrëmbyen të ëmës… ndonjëherë mendoj, them nuk është gjallë. Nganjëherë them, o Zot, o Allah, i dhëntë zoti mendt që të kujtojë, të vijë të më takojë njëherë, të më përqafojë e të vdes… e kam peng gjithë jetën.

Djali me nusen pas rrëmbimit u shkatërruan. E bënë një vajzë. U bë dy-tre vjeçe por familja u shkatërrua. Djali mori rrugët e mërgimit.

Shoh fëmijë të vegjël rrugëve, disa herë më kanë ngjarë si djali i vogël… me ato sytë e shkruar. Sa herë dilja rrugëve, mendoja për nipin. E ndjej shumë mungesën e tij, se e kam rritur vetë… e tani ai nuk gjendet, a jeton apo jo.

Djali i të moshuarve pas kësaj ngjarje pësoi një goditje të fortë dhe nuk u bë më njeri. Ikur në mërgim. Kurrë nuk u kthye. Përveçse rrëmbimit të nipit, braktisja nga ana e të birit, është një thikë në zemrën e Nuzit. Lot nuk i dalin nga sytë, por shpirti po kur thotë se ka mbetur vetëm.

Nuzi: Të ishte ai do të kishim shtëpi… atë çun kisha. Ta kishim mirë, ai do të ishte këtu me mua, por kam mbetur këtu, kemi mbetur vetëm. Të vetmuar jemi, s’kam njeri që të na bëjë hyzmet. Ja një çikë unë e çikë plaka, por më shumë bën ajo se unë mbeta po sëmurë.

Këto janë vuajtjet dhe varfëria ku jeton ky çift të moshuarish. E pavarësisht të gjithave, nënë Hajria kurrë nuk e ka braktisur besimin e saj në Zot. Falet çdo ditë në mes të kësaj dhome të ftohtë dhe lutet për një grimcë të mirë në detin e vuajtjeve që ka kaluar.