Një aksident në punë i mori jetën! Komuniteti shqiptar në Itali i plotëson amanetin kosovarit

 Një aksident në punë i mori jetën! Komuniteti shqiptar në Itali i plotëson amanetin kosovarit

Më 27 mars kishte shkuar në një banesë private për të kryer punime, por aksidentalisht rrëshket duke përplasur fort kokën. Ambulanca e dërgoi në spital dhe për mëse dy ditë qëndroi në koma. Më 30 mars, dha shpirt.

Kjo është historia tragjike e një shqiptari të Kosovës, që humbi jetën në qytetin e vogël të Castello-s në Itali. Bekim Kunushevci la pas të shoqen dhe dy fëmijë të mitur, djalin 10 vjeç dhe vajzën 8 vjeçe. Ishte vetëm 44 vjeç dhe u nda nga kjo botë në mënyrë të papritur.

Prej thuajse 20 vitesh jetonte e punonte në zonën e Anghiarit. Pas ndarjes së tij nga jeta, komuniteti shqiptar, kosovar e italian u mblodh së bashku për t’i plotësuar amanetin, që të prehej në Kosovë.

I gjithë komuniteti atje dha para dhe u arrit të mblidhej një shumë prej 11 mijë eurosh. Të gjitha pagesat e nevojshme u kryen për arkmortin e varrimin, ndërsa trupi i 44 vjeçarit u nis me anije drejt Kosovës.

Pjesa tjetër e mbetur e parave iu dha bashkëshortes së të ndjerit. Media italiane e ka publikuar këtë lajm të trishtë, teksa shton se ata që e njihnin Bekimin, tregonin për një njeri shpirtmirë dhe përherë të sjellshëm.