Një bombë i mori këmbën! Mesazhi i ndjerë i sportistes për personat me aftësi të kufizuara

 Një bombë i mori këmbën! Mesazhi i ndjerë i sportistes për personat me aftësi të kufizuara

Kur ishte vetëm 7 vjeç, shpërthimi i një bombe në shtëpinë e saj në Bagdad (Irak) i mori këmbën. Sot ajo është 30 vjeçe. Quhet Al-Eqabi dhe me profesion është farmaciste.

“Nuk ka qenë një rrugëtim i lehtë”-tha e reja për median.

Por nuk është profesioni i saj ajo që tërhoqi vëmendjen e medias. Pavarësisht vështirësive fizike, kjo 30 vjeçare është sportiste. Gjithçka nisi për shkak të dhimbjeve të trupit. Mjeku i tha që duhej të bënte not në mënyrë që të hiqte tutje dhimbjet e mëdha në shpinë e mes, që i shkaktoheshin nga proteza në këmbë.

“Noti nuk ishte dhe aq i frikshëm e i lodhshëm sa kisha menduar në fillim. Në një farë mënyre bëri të mundur që të më hapeshin dyer të tjera në sport”

30 vjeçarja mori pjesë në dy triathona (not, vrap, çiklizëm) dhe në vitin e kaluar hyri në rradhët e sfidave të fitnesit në Dubai, ku arriti të tërheqë një makinë ‘Jeep’ që peshonte 2 mijë kilogram.

Përveçse pasioni e vullnetit për sportin dhe punës si farmaciste, Al- Eqabi është një figurë e dashur dhe në rrjetet sociale, ku mundohet të postojë foto me qëllim që të ‘thyejë’ steriotipet, paragjykimet dhe ofezat që shpesh herë i adresohen njerëzve me aftësi të kufizuara.

“Ka kaq shumë njerëz me aftësi të kufizuara që ndihen të turpëruar nga vetja, që shumë shpesh zgjedhin të rrinë të veçuar nga të gjithë, pa u integruar në shoqëri. E limitojnë veten dhe përfshirjen e tyre veçse prej asaj që kanë kaluar. E urreja këtë mendësi, ndaj dhe nisa të postoj foto në rrjetin social.

Unë kam një mesazh për këdo person që përballet me të njëjtën sprovë që u përballa unë… mos e lini t’ju ndalojë, sepse në fund të ditës ju duhet të jetoni jetën tuaj. Ju meritoni ta jetoni dhe ta gëzoni jetën tuaj.”-tha 30 vjeçarja.