“Një ditë e rëndë për popullin tonë” Mesazhi i Albin Kurtit pas vizitës së të lënduarve në Kroaci

 “Një ditë e rëndë për popullin tonë” Mesazhi i Albin Kurtit pas vizitës së të lënduarve në Kroaci

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka vizituar këtë pasdite të gjithë të lënduarit që i shpëtuan aksidentit tragjik të kësaj të diele.

Kurti e ka cilësuar një ditë të rëndë për mbarë popullin dhe i ka uruar ngushëllimet e tij familjeve të viktimave. Kryeministri i Kosovës ka falenderuar përzermërsisht qeverinë, policinë e mjekët kroatë për reagimin e shkëlqyer në trajtimin e menaxhimin e situatës.

Albin Kurti: Mirëmbrëma. Së pari dua që t’ju shpreh ngushëllimet tona të gjitha familjeve dhe miqve të atyre 10 udhëtarëve që vdiqën sot në këtë aksident të tmerrshëm.

Po ashtu ju uroj shërim të shpejtë dhe të plotë të gjitha atyre që janë të lënduar rëndë. Kjo është një ditë shumë e rëndë me dhembje e pikëllim për mbarë popullin tonë.

Me këtë rast dua të falenderoj kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenkoviç për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm, ndihmën e shpejtë, reagimin urgjent dhe trajtimin e pacientëve këtu në spital, por edhe udhëtarëve të tjerë të cilët janë në duart e sigurta të mjekëve dhe psikologëve.

Këtu i vizitova të gjithë pacientët nëpër dhomat e spital përfshirë edhe ata dy që janë në kujdesin intensiv dhe falenderoj edhe menaxhmentin e spitalit dhe profesionistët shëndetësor për kujdesin e treguar dhe shërbimin e shkëlqyer.

Këtu jam bashkë me tre ministrat e qeverisë sonë. Për të qenë pranë këtyre udhëtarëve të cilët patën fat në këtë fatkeqësi. Qindra mijëra qytetarë të vendit tonë kthehen gjatë verës për pushime në vendlindje dhe shteti ynë, ekonomia jonë dhe mirëqënia varet prej tyre. Kjo fatkeqësi është tepër e rëndë për ne.

Shumica kanë qenë në gjumë kur ka ndodhur ky aksident tragjik. Duhet të fokusohemi në tejkalimin sa më të shpejtë të kësaj situatë. Ju kam dëshiruar më të mirën. Që të pushojnë e të flenë dhe u kam thënë se janë në duart e sigurta të mjekëve dhe psikologëve kroatë.

Drejtori i spitalit në Slavonski Brod: Dy pasagjerë në Intensiv, katër të tjerë u operuan

Ndërkohë drejtori i spitalit ku ndodhen të lënduarit në aksidentin e sotëm, ka dhënë të tjera detaje në lidhje me gjendjen e tyre shëndetësore. Josip Samarxhiç tha se dy të lënduar ndodhen në njësinë e kujdesit intensiv, ndërsa 4 të plagosur të tjerë janë operuar tashmë.

“Ne i mbajtëm ata në trajtim. 15 prej tyre kanë lëndime të rënda trupore, dhe dy janë vendosur në njësinë e kujdesit intensiv dhe po kryhen të gjitha procedurat. Katër u operuan. Ne vazhdimisht po monitorojmë situatën, “tha ai në Dnevnik N1.