Një francez që zbuloi Shqipërinë: Kam një vit që studioj gjuhën dhe bukuritë e vendit tuaj

 Një francez që zbuloi Shqipërinë: Kam një vit që studioj gjuhën dhe bukuritë e vendit tuaj

Arno Bute quhet ky djalë 18 vjeçar, që me origjinë është nga Franca. Disa vite më parë një mik me origjinë nga Shqipëria i tregoi për vendin tonë. Dhe për Arno-në duket se shqipja ishte një gjuhë tërheqëse.

Prej mëse një viti ai mëson gjuhën duke u ndihmuar nga tre mësues shkodranë. Arno dha një prononcim për abcnews.

“Në fillim ishte pak e vështirë ta mësoja gjuhën. Kisha vështirësi me shkronjën “rr” po tani është në rregull. Kjo shkronjë nuk është në frëngjisht. E zbulova Shqipërinë disa vjet më parë. Kisha një mik që quhej Alban dhe isha kureshtar të dija më shumë dhe zbulova Shqipërinë, peisazhet dhe bukurinë e saj. Dua të punoj në diplomaci ose ushtri, në lidhje me Shqipërinë.”-tha i riu.

Arno ka qenë në Krujë e Tiranë dhe thotë se i la mbresa të bukura Kruja.

“Familja më ka thënë se kjo dëshira ime është paksa e çuditshme, por gjithsesi më ka mbështetur. Nga historia e Shqipërisë njoh Skënderbeun, arbëreshët i njoh dhe kultura e tyre më pëlqen shumë. Nga shkrimtarët shqiptarë njoh Ismail Kadarenë, kam lexuar “Prilli i Thyer”.”-tha Arno.