Një grua e paralizuar s’mundi t’i shpëtojë dot flakëve në banesën e saj në Vlorë

 Një grua e paralizuar s’mundi t’i shpëtojë dot flakëve në banesën e saj në Vlorë

Për shkaqe ende të pazbardhura, një banesë në Vlorë u përpi nga flakët dhe për pasojë i mori jetën një gruaje 50 vjeçare.

Ngjarja e trishtë ndodhi këtë të mërkurë në lagjen ‘Lef Sallata’. Banesa ku jetonte 50 vjeçarja me inicialet E.Gj u përfshi nga flakët. Gruaja ishte invalide dhe nuk mundi dot të dalë nga shtëpia. Në momentin e rënies së zjarrit ajo ka qenë e vetme.

Zjarrfikëset kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shuarjen e  flakëve, ndërkohë që policia dha këto detaje mbi ngjarjen:

“Më datë 23.03.2021, rreth orës 17:45, në lagjen “Lef Sallata”, Vlorë, ka rënë zjarr në një banesë ku jetonte shtetasja E. Gj., rreth 50 vjeçe, invalide, e cila nuk ka mundur të dalë nga banesa dhe për pasojë ka ndërruar jetë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.”

Paraprakisht autoritetet dyshojnë se zjarri mund të ketë ardhur nga një shkëndijë elektrike.