Një jetë në spital, 20 operacione në trup! Nëna tregon si nisën vuajtjet për Deanin

 Një jetë në spital, 20 operacione në trup! Nëna tregon si nisën vuajtjet për Deanin

“Shumë e gëzuar isha. Sepse Deani lindi një fëmijë shumë i shëndetshëm dhe të gjithë më thonin se nuk ka mundësi që ai të ketë lindur i sëmurë. As unë vetë nuk e besoja e thoja mbase gënjejnë dhe mjekët… Por e vërteta ishte krejt ndryshe.”

Sesi qëndron ende në këmbë kjo nënë, as ajo vetë nuk mundet ta shpjegojë. Vuajtjet janë kthyer në një lumë. Lumi vërshon dhe fund nuk gjen. Dhimbje të jashtëzakonshme, qëkur solli në jetë vogëlushin e saj, e deri më sot, kur Deani është 9 vjeç.

Eva tregoi për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” të gjithë lumin e vuajtjeve, që para se Deani të vinte në jetë.

Eva: Në muajin e 8 të shtatzanisë, kam bërë një eko në Fier. Mjeku më tha se djali kishte probleme me fshikëzën urinare, mbante urinë. Më tha që duhej të lindja në Tiranë. E linda djalin në Tiranë dhe për t’i bërë një kontroll. Atëherë më thanë se me një apo dy operime do të rregullohej. Nuk mu besua, sepse të njëjtat dhimbje që kam provuar vetë në dyert e spitalit, po i provon dhe Deani.

Eva e njeh shumë mirë dhimbjen që ka i biri. Kur ishte adoleshente përballoi të njëjtat vuajtje, derisa njërën veshkë e hoqi. Sot dhimbjet që ajo provonte dikur në trup, janë rikthyer edhe më të forta. Sot kësaj nëne nuk i dhemb trupi, ama shpirti po i copëtohet.

Eva: Isha 16 vjeçe e kisha gurë në veshka. Më thanë duhet të bësh rreze që të mos operohesh. E pastaj njërën veshkë e hoqa. E di se çdo të thotë të durosh dhimbje në veshka, kriza tensioni… dhe për këtë i them Zotit lart, që… pse? Pse pikërisht Deanit, mirë unë kam vuajtur po Deani pse?

Deani nuk e njeh shtëpinë e tij, njëlloj siç njeh ambientet e spitalit në Tiranë. Në spital e njohu ky fëmijë miqësinë. Miqësi e krijuar nga sëmundja…

Eva: Për mua si nënë është shumë e dhimbshme. Deani më shumë njeh spitalin, sesa shtëpinë e tij. 10 ditë në shtëpi, dy apo tre muaj këtu. Si kemi bërë as 1 vit në shtëpi. Nuk ka shijuar asnjëherë fëmijërinë, më thotë nuk luaj dot, unë jam i sëmurë.

Djali ka qejf të shkojë në shkollë. Kur merrte yll vinte i gëzuar, më thoshte mami shiko mora një yll.

Por sëmundja nuk e lë nga krizat. Ia ndërpreva shkollën sepse nuk e lënë krizat. Shikonte fëmijët me çanta dhe më thoshte po unë mami pse nuk shkoj në shkollë, se jam i sëmurë? E mbaja me shpresë… ajo sëmundje e ka marrë peng djalin.

Ka patur dy shokë Deani që bënin dializë këtu. Ata kanë ndërruar jetë. I kërkonte Deani, ku janë më thoshte e nuk dija se çfarë t’i thoshja… po si mund t’i thoja unë që këtë gjë që bën Deani, këtë gjë bënë edhe ata… dhe tani kanë ikur