Një mesazh nga shqiptarët në kampin Al Hol në Siri: Po na rrahin shumë këtu

 Një mesazh nga shqiptarët në kampin Al Hol në Siri: Po na rrahin shumë këtu

Disa fëmijë e nëna shqiptare të mbetura në kampin Al Hol në Siri, po keqtrajtohen nga persona të  radikalizuar. Kështu pretendon në një mesazh dërguar për median shqiptare, një prej të pranishmëve në kamp.

Motiv i keqtrajtimit mësohet të jetë fakti se njerëzit e mbetur atje duan të largohen nga kampi, apo se disa prej grave e fëmijëve kanë celular e komunikojnë me familjarët. Ideja e largimit nga kampi është e padëshiruar për eksponentët e radikalizuar. Të njohura si Hisbah, ish pjesëtare të brigadës Al Khansaa në Shtetin Islamik, këto gra të radikalizuara i kanë dhënë detyrë vetes që të ndëshkojnë të gjithë ata që nuk respektojnë rregullat e ligjet e ISIS.

“Unë nuk mundem ta them, sepse na rrahin shumë këta këtu, thonë se ne kemi telefona”-shkruhet në mesazhin e ardhur nga kampi Al Hol.

Një tjetër bisedë që A2 disponon me një shtetase arabe, e njohur e Mentije Dumanit (që humbi jetën në Al Haël), tregon se Eva Dumani vijon të jetë brenda kampit, ndërsa ka qëndruar me një grua boshnjake.

Kujtojmë se pak ditë më parë autoritetet shqiptare riatdhesuan në Shqipëri 19 persona, 5 gra e 14 fëmijë. Ky ishte operacioni i dytë pas atij të tetorit të vitit të kaluar. Autoritetet kanë njoftuar se do të ketë sërish operacion derisa në Shqipëri të vijnë të gjithë fëmijët e gratë e mbetura në kampet siriane.