Një tur në Thumanë, inxhinieri tregon detajet e shtëpive që u lanë amanet nga shqiptarët

 Një tur në Thumanë, inxhinieri tregon detajet e shtëpive që u lanë amanet nga shqiptarët

Dikur kjo zonë ishte e mbushur me grumbuj rrënojash. Dhjetëra njerëz duke gërmuar dhe një ajër i mbushur në lotët e të qartat e atyre që kishin humbur të afërmit e tyre.

Por sot Thumana është një vend ku syri sheh bardhësi.

170 banesat e ndërtuara falë dhurimeve të jashtëzakonshme të shqiptarëve, tashmë janë drejt përfundimit të plotë. Amaneti i mijëra njerëzve është përjetësuar dhe do të çelet shumë shpejt.

Sidriti e Meri Bejleri kanë vizituar Thumanën, për të parë nga afër punimet, por edhe për të mësuar më shumë mbi banesat e reja. Një prej inxhinierëve i bën një tur të dyve, për t’i shpjeguar në detaje sesi janë banesat dhe kur pritet të përfundojnë 170 shtëpitë.

Inxhinieri: Këtu siç shikohet kemi arritur pothuaj në përfundimin e hapjes së të gjitha shtëpiave.

Meri: Kur mendohet të përfundohet e gjitha?

Inxhinieri: Mendojmë se nga mesi i nëntorit të gjitha do të jenë të përfunduara.

Inxhinieri i tregon se shumë prej shtëpive janë të përfunduara me elementët e nevojshëm, deri tek vendosja e kapotës për objektet, dritaret, sistemin e ngrohje/ftohjes si dhe instalimet elektrike.

Inxhinieri: Këtu kemi modelin 3+1, të gjitha këto godina që shihni këtu janë 3+1.

Sidriti: Pra janë për familje më të mëdha

Inxhinieri: Po këto janë për familje me 5-6 persona

Sidriti: Të gjitha janë me sistem kapote nga jashtë?

Inxhinieri: Po të gjitha pa përjashtim janë me sistem kapote, ndërsa rifinitura do të jetë me grafiato.

Inxhinieri shpjegon se banesat do të ndahen mes tyre, njëlloj siç ndodh me vilat,

Inxhinieri: Të gjitha banesat do të jenë të ndara, secili do të ketë pronën e tij. Pra secila shtëpi do të jetë e ndarë (rrethuar) nga e tjetrit.

Më tutje inxhinieri i tregon Sidritit e Merit një model të një banese 2+1, me sipërfaqe 85 m2. Ai tregon se janë përfunduar të gjitha përveçse stukimit e patinimit. Në banesë do të ketë një sistem qendror ngrohje/ ftohje.

“Janë vendosur edhe kutitë elektrike, po ashtu edhe për sistemin e ngrohjes. Më tutje do të vendosim dhe tubat për sistemin, i cili do të jetë qendror. Secila shtëpi do të ketë një sistem të tillë.”-thotë inxhinieri.

“Po tavani si është kështu”?-pyet Meri, ndërsa inxhinieri i shpjegon: ‘Ajo që sheh janë pllaka gipsi. Do të stukohet e patinohet dhe do të dalë e gjitha bukur.’

Më tutje Sidriti e Meri shohin dritaret, të cilat janë të gjitha me dopio xham. Inxhinieri i shpjegon se izolimi do të kryhet jo vetëm brenda por edhe jashtë dritareve, që të bëhet i plotë izolimi i urave termike.

Sidriti e pyet inxhinierin se sa janë si sipërfaqe godinat. Ai shpjegon se banesat janë tre llojesh në varësi të familjeve. Ka 1+1, 2+1 dhe 3+1.

“Godina 2+1 është 85 m2. Banesat 3+1 janë 115 m2 ndërsa më të voglat, 1+1 janë me sipërfaqe 65 m2.”

Turi vazhdon tek godinat njëra prej godinave 3+1.

Sidriti: Ky duhet të jetë dhoma ndenjes… qenka e bollshme

Inxhinieri: Po është e madhe. Është 5.6 metra me 5.3 metër.

Pas këtij turi për të parë më nga afër banesat, Sidriti e Meri falenderojnë punonjësin dhe nisen drejt Tiranës. Pak përpara largimit nga Thumana, Sidriti përcjell një mesazh domethënës, të cilin e gjeni në këtë klip.