“Nuk e imagjinoja që jeta të më ikte kështu, më mirë të mos kisha lindur fare me këtë sëmundje”

 “Nuk e imagjinoja që jeta të më ikte kështu, më mirë të mos kisha lindur fare me këtë sëmundje”

Kur i rikthehesh memorjes për kohën e fëmijërisë, mund të shfaqen momentet kur luaje, lodrat e tua të preferuara, koha në shkollë apo aktivitetet që preferoje.

Gjithkush mund të risjellë në mendje imazhe të bukura të fëmijërisë, por kjo vajzë zor se kujton ndonjë ditë të bukur. Sot është 20 vjeçe dhe qëkur ishte 7-8 vjeç, trupin e saj e mveshi një sëmundje që nuk i ka ikur, por i është përkeqësuar.

Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” takoi Ketianën, e cila jeton në një fshat të Përrenjasit.

Ketiana: Kam qenë shumë e vogël kur kam patur sëmundjen. Që atëherë më ka munduar shumë, sidomos me antën e shkollën. Kam vajtur më shumë në këmbë në shkollë, se autobusë nuk kemi patur. Mami me babin më kanë ndihmuar për të shkuar në shkollë plot herë, duke më mbajtur çantën.

Ketiana vuan nga skolioza dhe sëmundja e saj është përkeqësuar ndjeshëm e me kalimin e viteve. Pavarësisht varfërisë e pamundësisë, prindërit e saj janë munduar t’i gjejnë mundësitë për t’u kuruar Ketianës. Por sëmundja ka qenë më e fortë se mundësitë e kësaj familje.

Ketiana: Përveçse shkollës asnjë vend tjetër nuk kam vajtur. Eksursionet nuk i kam ndjekur fare sepse nuk më ka lënë sëmundja. Kur kam qenë në vit të parë, atëherë e kam kuptuar që kam sëmundje të vërtetë, nëse do të shërohesha më apo jo… kurrë nuk e mendoja se do të arrija në këtë gjendje.

20 vjeçarja tregon mes lotësh se prej mëse 1 dekade jeta e saj është përplasur mes 4 mureve të shtëpisë. Prej kohësh tashmë, ajo nuk arrin dot të flejë e shtrirë e nuk ka pjesë e kurrizit që nuk i dhemb.

Ketiana: Rri këtu brenda mes 4 mureve, nuk shoh asgjë. Kam shumë dhimbje, marrje fryme. Natën nuk gjej rehat, nuk qëndroj dot shtrirë drejt. Nxehtë kam shumë në kurriz e çdo natë ndërrohem. Jam shumë e lodhur. Sa herë që ngrihem, ka plot raste që më kërcasin eshtrat (qan)… nuk i dihet jetës sime.

E mes lotëve, kjo 20 vjeçare pyet veten, se çfarë i duhet jeta…

Ketiana: Nuk e imagjinoja dot të më ikte fëmijëria kaq shpejt… më mirë të mos kisha lindur fare me këtë sëmundje. Nuk e di, e kam shumë të vështirë të jetoj, nuk më kanë parë sytë një ditë të bukur.

Sëmundja ia ka marrë thuajse të gjitha. Ëndrrat e kësaj vajze për t’u shkolluar e për t’u bërë mësuese janë thyer nga skolioza që sot i rrezikon jetën.

Ketiana: Zemrën e kam shumë të vrarë, më vjen shumë gjynah që jetoj në këtë mënyrë. Kam shumë turp nga njerëzit kur thonë ja shikoje si është kjo…  me këtë gjendje që jam, turp shumë më vjen nga vetja ime.

Të gjitha shoqet e mia kanë shkuar në shkollë, në universitet, shijojnë jetën e tyre… po unë çfarë jete po shijoj? Vetëm rri në shtëpi, në krevat. Sëmundja mi ka prerë të gjitha ëndrrat. Kam dashur shumë të shkoj në universitet, të bëhesha mësuese…

Ajo ka një thirrje për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” me shpresën se shqiptarët nuk do ta lënë të vetme.

Ketiana: Mendoj ndonjëherë e them, po sikur një ditë të paralizohem komplet? Doktori më ka thënë se nëse nuk operohesh rrezikon jetën… por unë jam shumë e re, nuk dua të iki kaq shpejt.

Jeta ime është në rrezik, i lutem shumë xhaxhi Elvis Naçit e Sidrit Bejlerit… besoj se shqiptarët nuk do të më lënë vetëm.