“Nuk e kam të gjatë, amanet fëmijët” Rrëfimi drithërues i një gruaje që rrit në varfëri jetimët

 “Nuk e kam të gjatë, amanet fëmijët” Rrëfimi drithërues i një gruaje që rrit në varfëri jetimët

Pak muaj më parë kjo grua u vesh me të zeza. Lotët vazhdojnë ende, ndërsa ditët mbyllen në varfëri. Sot Meremja jeton me tre fëmijët e saj jetimë dhe vjehrrin e vjehrrën në moshë të thyer. Të shoqin ia mori kanceri.

Një ndjenjë trishtimi mbush dhomën, kur ajo tregon momentet e fundit me të shoqin. Dhimbja i varet në fyt, kur kujton amanetin e bashkëshortit të ndjerë.

“Edhe sot më kujtohet… në fillim ishte për vizitë. Edhe erdhi, më thirri… “a e di se unë do të vdes” më tha… (qan) Unë tha e shoh vet se nuk e kam jetën e gjatë. Kurrë nuk më thoshte që kemi qenë keq, si nuk bëri njëherë ‘of’, ta dëgjonim të na thoshte më dhemb këtu.

O Mereme më thoshte, shiko kalamajtë e shtëpinë se unë nuk e kam të gjatë. Më thoshte bëju e fortë për kalamajtë e për pleqtë.

Dha shpirt para se të hynte djali në dhomë. Më tha a ka vdekur babi një prej djemve (qan)…”-tha Merjemja për ‘Shqiptarët për Shqiptarët’.

Dy prej djemve janë ende të vegjël. Dhe sa e trishtë të shohësh sytë e tyre të pafajshëm të lotojnë. Zemra e tyre thërret në kujtesë, momentet e bukura me babin.

“Unë nuk dija gjë. Nganjëherë mërzitem kur shoh krevatin ku babi kishte vdekur. Aty mërzitem, por nuk qaj, nuk qaj kurrë.”-thotë vogëlushi.

“Me babin dilja me lopët. Babi më blinte akullore kur ktheheshim. Babi më thoshte që kur të bëhet mirë do të iknim të gjuanim për peshk.”-thotë fëmija tjetër.

“I jepja ujë kur më kërkonte babai… (qan) më thoshte të kam zemër, shpirt. Një ditë po bëja shëtitje me babin, por u ngrita nga krevati, ishte ëndërr. Do doja që babi të ishte këtu ta përqafoja.

Unë mezi po e ndaloj mamin që të mos qajë, se atë e di Zoti, por ajo vazhdon të qajë.”-thotë  vogëlushi, Aleksi.

Thuajse çdo ditë, Meremja ngre sytë lart. Lutet. Lutet që të mos ketë më sëmundje në pragun e kësaj shtëpie. Habitet ndonjëherë e mendon sesa i fortë qenka shpirti i njeriut të thyer nga fatkeqësitë.

Mereme: Them o Zot vetëm më bëj të fortë… o Zot mos na lësho më sëmundje që nuk i përballojmë dot. Të rrimë kështu bukë e kripë, se është shumë e vështirë. Qëndroj me vjehrrin e vjehrrën se ata duan mbështetje, dhe unë dua mbështetje prej tyre. Më dhimbsen shumë, ata janë të përvëluar. Prej 4 çunave, vetëm njëri u ka ngel. Pavarësisht se Zoti u ka dhënë nipa, prej barkut vetëm një fëmijë i ka mbet… Kur nisin të tregojnë vuajtjet… Robi qenka shumë i fortë, i mbaka të gjitha. Kështu e paska pas jeta. Edhe unë jetime kam qenë. Babain se kam parë fare, por jetim kështu nuk u shkoka. Tani lërë se jam pa krahë (pa të shoqin), por edhe pa shtëpi.

Këta jetimë jetojnë në kushte të vështira. Përveçse varfërisë, shtëpia e tyre është thuajse e shkatërruar. Gjyshe Hajria na tregon se dhoma ku flinin fëmijët rrezikon t’i bjerë tavani. Jetimët flenë në kuzhinë.

Gjyshe Hajria: Situata është shumë e vështirë. Shtëpia është e dëmtuar e gjitha. Fëmijët nuk flenë këtu. Na thonë se do shembet tavani e do të na bjerë në kokë.

Gjysh Islami: I lutem këtij emisioni, që të na ndihmojmë për një shtëpi për këta jetimë

Aleksi, njëri prej jetimëve, ka vetëm një dëshirë. Të ketë një shtëpi të re që të mos shembet.

Vogëlushi, Aleksi: Ne flemë tek kuzhina. Ne donim të rregullonim shtëpinë, por s’kemi sesi. Ne do donim një shtëpi që nuk do të shembet. I lutemi gjithë shqiptarëve të na bëjnë një shtëpi, që të mos kemi frikë se na bie tavani në kokë.

Nëna, Meremja: Ju lutem të gjithë shqiptarëve, po patën mundësinë, të na ndihmojnë. Për fëmijët, se ata janë jetimë. Më dhimbsen kalamajtë, se atje është shpresa ime e vetme… të rris ata kalamaj.