“Nuk ka njerëz këtu, vetëm ujqër” Historia e familjes që jetonte në fshatin fantazëm

 “Nuk ka njerëz këtu, vetëm ujqër” Historia e familjes që jetonte në fshatin fantazëm

Fshati Zall Broz në Krujë. Ky vend është i braktisur. Nuk ka më asnjë njeri. Shtëpitë janë braktisur, shkatërruar dhe ‘pushtuar’ nga natyra.

Të vetmit që marrin frymë në këtë vend të braktisur, janë pjesëtarët e familjes Shehu.

“Kemi ngelur vetëm ne këtu. Është braktisur krejt. Nuk bëjmë asgjë nuk ka asnjeri këtej. Vetëm ne jemi këtej. Nuk ka të kush na ndihmon jemi të vetëm”,-thotë Zoja, 14 vjeç.


“Këtu nuk ka as shkollë as dyqan, as farmaci, as rrugë, kur është dimër vdes për të ngrënë, vdes”,- thotë Trëndafile Shehu, e ëma e Zojes.
“Kemi shumë frikë vjen ariu, vjen ujku këtu, vijnë egërsirat, vjen ujku këtu. Kemi frikë për me dalë këtu në oborr. Kemi frikë nga egërsirat. Kemi shumë frikë”,-thotë adoleshentja.
“Shi, diell, erë, borë, ca të rrimë jemi pa drita, dhe jeta këtu është shumë e vështirë. Kemi frikë sidomos natën ”,- thotë Trëndafilja.

“S’mund të rrish natën në shtëpi…Nuk ja dalim dot. Janë egërsirat natën, arushat, një dy tre katër e kështu me radhë. Kam bërë atë gardhin për të na mbrojtur, por edhe ai është këputur”,-shprehet kryefamiljari Sabahu.

Sabahu e ka të rëndë zemrën. Përpos varfërisë, shtëpinë ia mori tërmeti i 26 nëntorit. Sëmundjet i vërshojnë në trup dhe me to, varfëria është bërë e papërballueshme.


Sabahu: Unë marr ilaç për tension për diabet dhe për zemër. Kam 15 vite që vuaj nga sëmundjet. Por nuk e jap veten cfarë të bëj ka dhjetë vjet. Vështirësitë janë shumë të mëdha. Me u sëmurë këtu rruga është shumë e vështirë dhe në dimër është e pakalueshme.

Pesë mijë lekë në muaj për të blerë ilaçe, por nuk i marr rregullisht prej varfërisë. Doktorat më kanë thënë që cdo gjashtë muaj të bëj kontroll por unë shkoj një herë dy herë dhe kur vizitohem doktori thotë nuk duhet të punosh fare. Por unë nuk mundem të rri sepse duhet të punoj për të mbajtur familjen në këmbë.

Trëndafilja: U shemb shtëpia, vajzën e kam nxjerrë nga rrënojat, se po të ngelej aty do ta zinin krejt nën rrënojat e shtëpisë. Djalin e shpëtova me zor duke e mbuluar me trup. Vajzën e para një cikë më anash. Mos e pyet si kemi kaluar. Aty kam parë tmerr me sy.

Sabahu: Edhe këtë kasollen e kemi bërë me lekë borxh. Me llamarina sa me hy brenda se nuk kishim ku të rrinim. Fëmijët duan të shkojnë në shkolla.

 “Asgjë s’kemi se çfarë të bëjmë. Nuk vjen kush me na ndihmuar. Nuk kalon kush këtej, me na pa e me na fol”, e mbyll rrëfimin 14 vjeçarja.

Por shqiptarët nuk mund t’i linin vetëm fëmijët e familjes Shehu e burrë e grua. Elvis Naçi e Sidrit Bejleri vizituan familjen. Jo tek shtëpia e rrënuar në fshatin fantazëm, por këtu. Në shtëpinë e re të blerë nga shqiptarët për shqiptarët.

 “Në u mërzitëm shumë që ju nuk shkuat ë shkollë vitin e kaluar, tani e keni shkollën pranë , ju keni miq të mirë që quhen shqiptarë. Ju jetonit në atë banesë të dëmtuar nga tërmeti. Kjo familje nuk ka patur nevojë për thirrje specifike pasi hyn tek familjet e dëmtuara nga tërmeti. Thirrjet e kemi bërë që në atë kohë me zemër të hapur ne nxjerrin fondin e parë, ku ka më bukur sesa ta fillonim me këtë familje. Me shpresë duam të nisim punën edhe në Thumanë që presin të bëhen me shtëpi të reja”,-u tha Elvisi.