“Nuk kemi bukë, mami s’ka mundësi” Nga errësira në dritë, 4 jetimët që u shpëtuan nga shqiptarët

 “Nuk kemi bukë, mami s’ka mundësi” Nga errësira në dritë, 4 jetimët që u shpëtuan nga shqiptarët

Në muajin maj, emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” shkoi në zonën e Bathores për të takuar një familje me 4 jetimë. Tre vajza dhe një djalë, të gjithë të mitur, të cilët i mbante me sakrifica të jashtëzakonshme nëna.

Pak kohë më parë, bashkëshorti i Marjanës kishte ndërruar jetë për shkak të një tumori në mëlçi. Ajo as nuk arriti ta shohë të shoqin, kur ky i fundit hyri në reanimacion, e nuk doli më i gjallë prej aty.

Marjana punonte, por rroga fare e vogël i mjaftonte vetëm për të paguar qiranë e për të blerë fare pak ushqime… aq pak saqë shpesh detyrohej të mos hante ajo vetë, për të ushqyer fëmijët.

Therëse ishte të dëgjoje vajzën e vogël të familjes Preçi, e cila tregonte se ndonjëherë nuk kishin për të ngrënë, apo se ajo nuk kishte lodra pasi nëna nuk kishte mundësi t’ja blinte.

“Shqiptarët për Shqiptarët” e përcollën këtë histori me qëllimin për t’ja ndryshuar jetën Marjanës dhe 4 jetimëve të saj. Shqiptarët iu përgjigjën thirrjes për të ndihmuar familjen Preçi dhe vogëlushët së bashku me Marjanën hynë në shtëpinë e tyre të re.

Muajt kaluan dhe “Shqiptarët për Shqiptarët” shkuan sërish për të parë Marjanën me fëmijët. Sot në shtëpinë e re të familjes Preçi, nuk gjen më trishtimin e dikurshëm të fëmijëve, por gëzimin e buzëqeshjen e tyre.

“Unë tani kam një tjetër jetë… Zoti bën mrekulli, tani se di të them, se kam menduar kurrë të ndodhnin gjërat kështu, një shtëpi në jetë, kush mendonte se do të na jepnin një shtëpi në Tiranë. Kur erdha në shtëpi të re, më bëri përshtypja makina qepëse. E kam njohur një shoqe, ajo shet rroba, kurse unë qep me makinë. Tani marr më shumë para se tek puna e kaluar, e kam vetë në dorë, fëmijët i shoh më shpesh. Tani duket krejt një jetë tjetër”-tregoi Marjana, nëna e 4 jetimëve.

Shikojeni në këtë klip rrëfimin e fëmijëve, fjalët e tyre janë si një fije drite e lumturie për zemrën