“Nuk resht, derisa t’kem fuqi” Rrëfimi i të moshuarit, 30 vite në kërkim të eshtrave të babait e vëllait

 “Nuk resht, derisa t’kem fuqi” Rrëfimi i të moshuarit, 30 vite në kërkim të eshtrave të babait e vëllait

Sot Taip Hoxha është 75 vjeçar. 30 vitet e fundit të jetës së tij, ai ka kërkuar eshtrat e babait e të vëllanë. Të dy njerëzit e zemrës ia mori regjimi komunist, i konsideroi të burgosur politik dhe i pushkatoi.

Babai i të moshuarit quhej Manxhar Hoxha, nga Kolonja e Gjirokastrës. Ai e la dy vjeç Taipin dhe tre fëmijët e tij të tjerë.

“Kur ishte në arrati babai kishte kontakt me emisarët anglezë dhe kthehet në Shqipëri me një grup për të përmbysur regjimin komunist. Kjo siç ma kanë treguar të tjerët sepse unë nuk e mbaj mend babain pasi kam qenë dy vjeç kur ai u vra. Në Shqipëri ndiqej nga forcat e sigurimit dhe bie në pritë në gushtin e viti 1949 dhe vritet”

Taipi thotë se familjen e ndanë kur babai u arratis dhe pas vrasjes së tij e dërguan sërish në fshatin e tyre, Kolonjë.

“Na ndanë në tre pjesë, gjyshja dhe unë në një vend, nëna dhe motra që sa kish lindur në një vend tjetër dhe motra me vëllain në një vend tjetër që të mos e shihnim njëri tjetrin. Kur e vranë babanë na dërguan sërish në Kolonjë.”

Një djalë 18 vjeçar kishte marrë pjesë në varrosjen e babait të Taipit e prej dëshmisë së tij, 75 vjeçari i kërkoi eshtrat e të atit në zonën e fshatit Zenelaj..

“Në 1991 gjeta njerëzit që ishin gjallë që e kishin varrosur atje dhe kemi kërkuar atje por nuk gjejmë asnjë lloj gjurme. Na thanë dëshmitarë më vonë se mund të jetë zhvendosur ,por se ku edhe sot se dime”.

Por vrasja e babait ishte vetëm goditja e parë. Vëllai i Taipit, Ahmeti, arrestohet sapo mbush 18 vjeç dhe dënohet me 20 vite burgim.

“E kanë arrestuar për tentativë arratisjeje dhe siç thonë dokumentet dhe për rrëzimin e pushtetit dhe e kanë dënuar 20 vite burg. Arrestimi për tentativë i është bërë në fshat, në Kolonjë e cila është kilometra larg nga kufiri”.

Ahmeti tenton të arratiset pasi kryen 5 vite burgim. E dënojnë sërish me vite të tjera burgim. Por Ahmeti sërish tenton të arratiset, kësaj here nga burgu famëkeq i Spaçit. Pas këtij akti të dytë, Ahmeti dënohet me pushkatim.

“Ishin tre shokë, morën makinën e kampit në mes të ditës dhe u arratisën, por kishin disa ditë pa buke. Njëri nga shokët pas pesë ditësh i tha se do shkonin tek një kushëri i babait të tij. Pasi shkuan ai i priti, u dha ushqim dhe kur po flinin, i spiunoi dhe i kapën”.

“Në 91 s`kam lënë më njeri dhe skam lënë më vend pa pyetur e pa kërkuar. Fillimisht kam shkuar tek Vaskë Dimoshi, tek prokurori. Na ka thënë nuk mbaj mend gjë. Kam dërguar njerëz, shokë të vëllait tim tek përgjegjësi i hetuesisë, Sokol Shazi, nuk ka pranuar, nuk di gjë, ka thënë. Kam kërkuar policët që qenë në listën e pushkatimit, kam gjetur Zeqir Lalën, të cilit i shkuan njerëzit e mij , ia kërkuan si nder të tregonte dhe s`ka pranuar. S`kam qenë unë atje, tha,ndërsa në dokumentin e skuadrës së pushkatimit, që kam marrë në Ministrinë e Brendshme, rezulton emri i tij”.

75 vjeçari tha për Zërin e Amerikës se u ka shkruar autoriteteve shtetërore.

“Pasi i humba shpresat nga kërkimet familjare i bëra kërkesë autoriteteve më të larta Presidentit ,kryetarit të Palmentit. Kryeministrit dhe më kthyen përgjigje se ia kanë deleguar Ministrit të Brendshëm. Ministrit të Brendshëm unë i kërkova eshtrat, sipas ligjit, por ai më kthen përgjigje se vëllai është varrosur në rrugën e Kaçinarit, varianti i druve. Në përgjigjen e Ministrit të Brendshëm rezulton se pushkatimi i vëllait është bërë më 5 qershor dhe jo në 31 janar siç thonë të gjitha dokumentet e nxjerra nga arkivat”.

Së fundi Taip Hoxha i ka shkruar kryeprokurorit të Lezhës duke kërkuar një hetim për vendvarrimin e vëllait dhe ende nuk ka marrë përgjigje. Në gjithë këtë kalvar kërkimi për tridhjetë vite Taip Hoxha thotë se nuk do t’i rreshtë përpjekjet deri në frymen e fundit.

“Nuk rresht së kërkuari deri sa të kem fuqi të hipi në makinë, të vete atje ku kam sinjal”.