“O babi, po unë pse jam kështu?” Historia e 12 vjeçares me skoliozë, si e shpëtuan shqiptarët

 “O babi, po unë pse jam kështu?” Historia e 12 vjeçares me skoliozë, si e shpëtuan shqiptarët

Me siguri kur Luani dhe Laureta shtrihen për të mbyllur sytë në gjumë, mendja medoemos i kalon në pyetjet që brejnë prej 5 vitesh burrë e grua, “a do të jetë më mirë nesër vajza, a do mund t’i bëjmë bashkë paratë për ta çuar në operacion”…

Kur sheh Joridën 12 vjeçare, sytë e saj tregojnë jetë dhe mirësinë e një fëmije, por kur vështron trupin e saj, gjithçka ndryshon. Jorida vuan që nga mosha 8 vjeçare nga një sëmundje e rëndë, që nëse nuk kurohet me gjasë do t’i bllokojë mushkëritë e më pas do t’i sjellë vdekjen.

Ky është dhe tmerri me të cilin jeton kjo familje e varfër nga Ballshi i Shqipërisë. Emisioni shqiptarët për shqiptarë shkoi në këtë familje, për të dëgjuar nga afër historinë e 12 vjeçares. Luani thotë se kanë shkuar kudo nëpër spitale prej mëse 5 vitesh, por zgjidhja e vetme mbetet operacioni. Dy prej tyre, me një kosto prej 25 mijë eurosh.

Luani, babai: Jorida vuan nga skolioza. E zbuluam sëmundjen para 5 vitesh. Nuk kemi lënë vend pa vajtur, spital pa shkuar. Rruga e shkurtër pë të shpëtuar jetën e vajzës. Operacioni kushtonte jashtëzakonisht, 26 mijë e 500 euro. Nuk ka rrugë tjetër për ta shpëtuar vajzën. Ta them troç, ne tani jemi dhe pa bukë në shtëpi. Vetëm unë punoj dhe nuk kemi mundësi. Shumë mërzitje, shqetësim… kur e shikoj vajzën në atë gjëndje iki fshihem dhe qaj atje tutje.

Laureta, nëna e Joridës nuk di ç’të thotë. Tregon për ‘shqiptarët për shqiptarët’ se dhimbjet e vajzës janë të mëdha dhe se prej rreth 4 vitesh, e bija mban një korse. Por edhe korseja dukshëm nuk ka sjellë asnjë ngadalësim të problemit serioz që ka vjeçarja, skoliozën.

Laureta: Vajza ka dhimbje. Më thotë më dhemb shpatulla, nuk mban dot as çantën për në shkollë. Me vajzën time nuk ndjej asnjëherë lodhje. Veçse dua që ajo të jetë mirë, të jetë njëlloj si shokët dhe shoqet e saj të klasës. (qan). Doktori na tha se nëse nuk marrim masat, sklozioza një ditë do t’i bllokojë frymëmarrjen. Një operacion do t’i bëhet në pjesën e poshtme të legenit dhe më pas do t’i bëhet operacioni i skoliozës.

Nuk e di… kam 5 vjet që e vuaj, jetën time e jap vetëm që ajo të shërohet. Më thotë kur ikim në shkollë në mëngjes, mami mos më jep gjë me vete, sepse na duhen paratë, nuk kemi. Edhe pse e di që ka gjith atë problem, shqetësohet kur më sheh të mërzitur.

Ju lutem të gjithë shqiptarëve të vënë dorën në zemër për këtë vajzë, me sa mundësi të kenë të më ndihmojnë.

Luani i përlotur, tregon momentin kur pas vizitës në spital mësuan mbi problemin që kishte Jorida. I përlotur, kujton fjalët që i tha vajza, kur ishte veçse 8 vjeç.

Luani: 8 vjeçe ka qenë kur e mësuam. Kur e dëgjoj për herë të parë, vajza 8 vjeçe ishte dhe tha një fjalë që nuk e harroj… “po unë babi pse jam kështu”. I thashë se nuk është gjë dhe se do të rregullohej.  I bëmë korsenë para një viti, por na thanë se korseja frenon por nuk rregullon. Korseja as nuk rregulloi e as nuk frenoi gjë.

Më prekës është momenti kur Laureta çohet në këmbë dhe tregon gjendjen e mjerueshme të trupit të saj. Me lotë në sy, mbase nga dhimbja ose mbase prej keqardhjes për veten, ajo i lutet shqiptarëve që ta ndihmojnë nëse munden.

Jorida: Kam probleme me shtyllën kurrizore… më dhemb shumë trupi. Ju lutem, (qan) nuk e mbaj dot më veshur këtë korsenë. Ju lutem më ndihmoni, dua që të kem një jetë të lumtur, të mos kem më dhimbje në trup.

Unë shkoj në shkollë, bëj detyrat. Ndonjëherë dal pasdite me shoqet ose mamin. Në shkollë jam mirë me mësime, marr 9 dhe 10. Në shkollë më shoqëron mami, sepse nuk e ngre dot çantën. Në shkollë nuk rri dot shumë në karrige, sepse më dhemb trupi. Do ju lutesha shumë shqiptarëve që të më ndihmonin, të mos vuaja më nga këto dhimbje.

Historia e saj ka prekur të gjithë shokët dhe shoqet e klasës. Ata po ashtu bëjnë thirrje për ndihmë dhe jo të paktë janë ata fëmijë që kur flasin, njëkohësisht përloten për 12 vjeçaren.

“Do doja që operacioni të kryhej dhe ajo të jetë si gjithë bashkëmoshatarët e tjerë”

“Jorida është një vajzë e fortë dhe ajo nuk kërkon lëmoshë, ajo kërkon dashuri dhe ndihmë”

“Shqiptarëve u kërkoj vetëm të venë dorën në zemër, sepse ajo vërtetë ka nevojë”

Unë kam dy muaj që bëj mësim tek shkolla “Ismail Klosi” ashtu siç më kanë ndihmuar mua shqiptarët dua që ta ndihmoni edhe Joridën. Unë nuk i shikoj do të tjerët që vuajnë, ndihmojeni”.

Shqiptarër për Shqiptarët i dëgjuan lutjet e Joridës. Shuma për operimin e saj u mblodh dhe ajo hyri në sallën e operimit. Për më tepër shikoni klipin