Pa baba dhe në varfëri të madhe, 14 vjeçarja mbushet në lot kur mëson për surprizën

 Pa baba dhe në varfëri të madhe, 14 vjeçarja mbushet në lot kur mëson për surprizën

Kjo është shtëpia ku jeton një fëmijë. Qëkur lindi Aurora, sot 14 vjeçe, nuk ka parë një ditë të gëzueshme. Varfëria e madhe ka bllokuar çdo rreze shprese, ndërsa ikja e babait ishte goditja më e madhe.

“Në 2007 linda vajzën, bashkëshorti ndërroi jetë, ishte me kancer në mushkëri… nuk e pati jetën e gjatë, pati jetë të shkurtër. Babai na mbajti për 4 vite me pensionin e tij, por edhe ai iku… kemi mbetur në qiell të hapur tani”-tregoi për “Shqiptarët për Shqiptarët, nëna e Aurorës

Aurora struket tek e ëma, ndërsa Dallëndyshja mundohet me çdo gjë e me gjithçka që të mbajë të bijën.

Por edhe dashuria e një nëne mbase ngaherë nuk është e mjaftueshme për t’u përballur me vështirësitë e jashtëzakonshme ekonomike me të cilat përballet Dallëndyshja. Pavarësisht varfërisë, e vetmja gjë që ajo kërkon, është një dhomë e ngrohtë për të bijën, asgjë më shumë.

Elvis e Fatma Naçi udhëtuan në fshatin Allkaj (Lushnje) për të vizituar Dallëndyshen e Aurorën, të shoqëruar nga një tjetër çift. Natmiri e Valbona kanë mbërritur, sepse dëshira e tyre është të shohin nga afër kushtet në të cilat jeton nëna me të bijën. Të dy janë nga Struga, por prej vitesh jetojnë në një shtet të BE-së. Dy shqiptarë zemërmirë, që kanë vendosur t’i sjellin dritë syve të pashpresë së një jetimeje.

Elvis Naçi: Dallëndyshe, Zoti t’i lehtësoftë gjërat. Kemi parë fotot e videot, por kur i shohim me sy është gjithmonë më keq. Njerëzit që e shikojnë me video, shohin 50-70% të asaj që është, kamera nuk i kap të gjitha, nuk e kap psh lagështirën e kësaj shtëpie

Dallëndyshja: Unë vetë asgjë nuk dua, vetëm për këtë fëmijë. Kam shumë vite që e vuaj këtë varfëri, për vite e kam përjetuar

Elvisi: Hyn shiu?

Dallëndyshja: Po, jam me të keq. Tani as nuk po punoj se mbaroi sezoni i punës, cucën e çoj në shkollë e më tutje punoj. Ndonjëherë vajzën e marr, se ku ta lë këtu. Natën është frikë, por Zoti të bën të fortë, që të rrisësh fëmijën.

Bashkëshorti më ka vdekur. Ndenja 4 vite me vjehrrin, babën. Ai ma rriti vajzën, por varfëri ekstreme. Siç e shikoni vetë. Unë për vete nuk dua asnjë gjë, vetëm një dhomë, të jetoj me vajzën.

Elvisi: Na jep emocione të forta Dallëndyshe. Natmiri e Valbona jetojnë në Austri. Kanë ardhur në Strugë dhe më tutje këtu, vetëm për të të vizituar ty.

Dallëndyshja: Kam folur me Valbonën

Valbona: Më ka thënë vetëm më ndihmo për vajzën. Aurora edhe pak e ka ditëlindjen, i bën 14 vjet dhe vajza ka qejf të jetojë si të gjithë fëmijët e tjerë.

Natmiri: Do na ftosh edhe ne apo jo? Unë jam donator në plot raste të tjera, por kështu rasti nuk më është dhënë mundësia. Është e veçantë. Të gjithë i kemi parë, jo vetëm këtë familje por edhe të tjera, por ndonjëherë thua a janë të vërteta (varfëria)? Kur vjen këtu, e kupton

Elvisi: Ne kemi vendosur që gjithë kalvari i vuajtjeve, ëndrra jote do të plotësohet dhe ne do të ikim në shtëpinë e re, ju lutem, bëhuni gati, mos të kaloni më asnjë sekondë këtu.

Aurora gëzohet dhe s’mund t’i mbajë dot lotët. Pas 14 vitesh trishtimi e ditësh të vështira, më në fund një lajm i madh, një lajm që do t’ja ndryshojë jetën për mirë.

Ndiqeni klipin dhe shikoni gëzimin e një jetimeje si dhe disa surpriza të tjera që iu bënë jetimes.