Pa e menduar dy herë, këta dy policë hyjnë në ndërtesën në flakë për të shpëtuar banorët

 Pa e menduar dy herë, këta dy policë hyjnë në ndërtesën në flakë për të shpëtuar banorët

Mbrëmjen e të mërkurës një defekt elektrik shkaktoi një zjarr që u shpërnda shpejt në një godinë banimi në Fushë- Kosovë, duke rrezikuar jetën e banorëve atje.

Dy policë që ishin pranë ngjarjes kanë ndërhyrë në ndihmë të banorëve duke u përballur me flakët dhe tymin.

Një qytetare postoi në rrjetin social foton e dy oficerëve duke thënë se ata vunë jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar njerëzit që banonin në godinën e përfshirë nga flakët. Pas këtij postimi, foto u bë virale në Kosovë.

Sot dy oficerët e policisë kanë dhënë një prononcim për televizionin T7, nga ku kanë deklaruar se me të parë flakët nuk e kanë menduar dy herë dhe kanë hyrë në godinë me qëllimin për të ndihmuar e njoftuar njerëzit që të dalin prej aty.

 “Është hera e parë që kena marrë pjesë në një aksion të tillë, por fal përgatitjeve profesionale që i kemi nga e kaluara, nga akademia kena arrite me menaxhu stresin, natyrën e rastit dhe kemi arrite me i largu personat që kanë qenë brenda e që kanë qenë të rrezikuar nga tymi i madh që ka qenë brenda ndërtesës,”- tha Bajram Qerimi, njëri prej oficerëve.

“Në ato momente vetëm kena patur dëshirë që mos me pas të lënduar te qytetarët. Pasi e kemi marrë informatën se zjarrfikësit mund të vonohen dhe ajo kohë mund të jetë fatale për banorët,  pa menduar dy herë jemi futur brenda dhe kemi evakuuar qytetarët” tha Arbnor Bullatovci, zyrtari tjetër i policisë.

Nga flakët askush nuk u dëmtua rëndë dhe falë këtyre dy oficerëve, banorët në godinë ia kanë hedhur me dëmtime fare të lehta. Vetë policët janë shprehur se thjesht kanë kryer detyrën e tyre, një shembull ky që prezanton modelin e duhur për njeriun që vesh uniformën e policisë.