Pa fëmijë, i shoqi sëmurë rëndë dhe vetë me këmbën e thyer… mjerimi i të moshuarve në Durrës

 Pa fëmijë, i shoqi sëmurë rëndë dhe vetë me këmbën e thyer… mjerimi i të moshuarve në Durrës

“Shqiptarët për Shqiptarët” shkuan në periferinë e qytetit të Durrësit, atje ku jeton familja Iljazi. Fatmira dhe Ilmiu e çojnë pleqërinë e tyre në kushte të mjerueshme, e mbi të gjitha pa patur pranë fëmijë. Çifti i të moshuarve nuk u bekua me fëmijë dhe kanë mbetur vetëm.

Por vetmia është e fundit, pasi këta të moshuar jetojnë në varfëri të madhe e mbi të gjitha, përballen me gjendje të vështirë shëndetësore. 12 vite më parë, Ilmiu pëzoi një trompozë dhe që nga ajo kohë, ai nuk mund të lëvizë. Në përgjithësi qëndron në shtrat dhe e ka të vështirë të shkojë edhe në tualet.

E kështu e gjithë barra e punëve ka rënë mbi shpatullat e 62 vjeçares. Fatmira mundohet me mish e shpirt, që t’i shërbejë të shoqit të sëmurë. E po të dëgjosh këtë grua kur flet për sëmundjet e burrit të saj, të këputet shpirti.

Fatmira: Kam 12 vjet, burri më ka kaluar trompozë dhe tani aktualisht ka shumë sëmundje. Me trompozë, me diabet, me zemër, me tension, me pankreas, me gurë në tëmtha… nuk i mbaj mend të gjitha.

Rreth 9 muaj më parë, Fatmira pësoi një incident dhe iu thye këmba. Trupi i saj i lodhur tashmë duhej të përballej dhe me këtë aksident e me dhimbjet e vazhdueshme që sjell. Aq e rëndë është bërë jetesa për këta të moshuar, saqë nuk gjenden fjalë për t’i përshkruar vuajtjet…

Fatmira: Kam 9 muaj që kam thyer këmbën dhe jam në gjendje shëndetësore shumë të keqe. Kam nevojë për ndihmë dhe ndaj bëj thirrje.

Shtëpia po rrënohet. Janë myk i gjallë, nuk mundem dot. Lagështia e tepërt më ka marrë të dyja këmbët, mezi eci. Në dyqan kur shkoj, qeset mi sjellin të tjerët, se me zor eci. As vetes e bashkëshortit nuk i shërbej dot, as pastërtinë në shtëpi nuk e kam si duhet, turp më vjen. Nganjëherë nuk ngrihem dot, më dhemb gjithë trupi e kockat… por jam e detyruar sepse im shoq ka nevojë për shumë gjëra.

Pavarësisht se Fatmira e Ilmiu nuk kanë fëmijë, një grua e re i është gjendur të moshuarve, njëlloj sikur të ishte vajza e tyre. Fatmira është besimtare dhe përlotet menjëherë jo për vuajtjet e saj, por kur na tregon sesi komshia e ka ndihmuar.

Fatmira: I madhi Allah nuk më dha fëmijë, ama sot periudha më e keqe e jetës është se më është thyer këmba. Më është bërë vajzë një nuse. Sikur vajzë me të vërtetë ta kisha, nuk do të më kishte parë aqsa më ka parë ajo, burri e fëmijët e saj. Më janë bërë familja më e afërt. Në spital më kanë ndihmuar. Ajo vinte me bukë, me gjellë, me të larë e shpëlarë rrobat e enët. Në kohën e pandemisë nuk kishte njeri që të të fliste me gojë, e ajo na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë.

Këta të moshuar kërkojnë ndihmën e shqiptarëve, me shpresën se do të shpëtojnë nga kushtet e vështira.

E ndjek gjithmonë emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” e them o Allah, më bëni dhe mua një ditë të lumtur. Nëse e shikojnë të arsyeshme, ne vetëm një garzoniere na duhet, se më shumë nuk na duhet më tepër. Më vjen shumë rëndë të kërkoj, por nuk kam rrugëzgjidhje tjetër…