“Pa lënë veten keq, nuk i bën dot mirë kujt” Çfarë bënë emigrantët shqiptarë gjatë pandemisë

 “Pa lënë veten keq, nuk i bën dot mirë kujt” Çfarë bënë emigrantët shqiptarë gjatë pandemisë

Viti që lamë pas mund të thuhet se i “përkoi” pandemisë. Mijëra njerëz humbën vendet e tyre të punës kudo në botë e njëlloj po ashtu në dy shtetet tona, Shqipëri e Kosovë.

Por pavarësisht vështirësive, emigrantët shqiptarë kanë bërë çka ka qenë e mundshme për t’i ndihmuar familjet e tyre në tokën mëmë.

Deutsche Welle i ka kushtuar një artikull pikërisht ndihmës që emigrantët shqiptarë në Gjermani, i kanë dhënë familjarëve të tyre. Dhe rezulton se pavarëisht vështirësive që solli pandemia, remitancat nga shqiptarët në Gjermani kanë pësuar rritje.

“Ne themi një fjalë, pa lënë veten keq, nuk i bën dot mirë kujt. Rroga ime në Gjermani nuk është kushedi sa e lartë, po ata atje janë më keq, sidomos tani në kohën e Coronës, prandaj sigurisht që i ndihmoj familjarët në Kosovë“- thotë Ardiani, një punëtor ndërtimi që jeton prej vitesh në afërsi të Bonnit në Gjermani.

Edlira Dashi, eksperte e Bankës Botërore në Shqipëri shprehet për Deutsche Wellen, se “remitancat në Shqipëri tejkalojnë madje investimet e huaja direkte dhe asistencën zyrtare të zhvillimit duke qenë një burim i sigurtë, i stabilizuar dhe masiv financimi për familjet shqiptare.”

Ndihma e shqiptarëve për familjet e tyrë në Kosovë e Shqipëri në shumë raste ka qenë edhe më e madhe gjatë 2020.

“Pikërisht, kjo krizë na tregoi, se remitancat janë një komerdare shpetimi për shumë familje që mund të kenë humbur punën ose xhiron e biznesit të tyre… remitancat kanë qëndruar në nivele shumë të larta duke i bërë ato akoma më të rëndësishme edhe për ekonominë e vendit”.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore në Prishtinë, Kushtrim Ahmeti thotë për Deutsche Wellen, se “Gjermania vazhdon të prij për nga shuma e dërguar. Në periudhën janar-dhjetor të vitit 2020 mërgimtarët nga ky vend dërguan 414,6 milionë euro. Kjo shumë është për 67,7 milionë euro më shumë se periudha e e njëjtë e vitit 2019, ku u dërguan 346,9 milionë euro.”

Këtë fakt e konfirmoi dhe një Niels Peter Voß , menaxher në një agjenci të dërgimit të parave në Berlin, i cili shtoi se gjatë pandemisë, numri i parave të dërguara në Shqipëri e Kosovë nga Gjermania, ka njohur rritje.

“Nëse kjo pandemi tregoi diçka, atëherë atë, se klientët tanë më shumë se kurrë u kthyen në ndihmësit e parë për miliona vetë, që vareshin prej transfertave të tyre si të ardhura kryesore dhe po ashtu janë edhe mbështetje e fuqishme e ekonomisë nga jashtë në disa vende. Në të vërtetë tregu shqiptar është rritur me 69% dhe ai në Kosovë me 56%. Dhe kjo nuk lidhet vetëm me shifrat e transfertave. Frekuenca e dërgesave është rritur, 4% në Shqipëri, 5% në Kosovë”, thotë Voß.