Pa nënë e baba, në varfëri me gjyshen! Shqiptarët i sjellin qetësi jetimëve dhe shpirtit të 70 vjeçares

 Pa nënë e baba, në varfëri me gjyshen! Shqiptarët i sjellin qetësi jetimëve dhe shpirtit të 70 vjeçares

Babai i vdiq kur ata ishin fare të vegjël dhe disa kohë më parë, nëna, personi më i shtrenjtë në këtë botë, i la jetimë.

Fabiani 10 vjeçar dhe Neli vogël 8 vjeç, jetonin të vetëm me gjyshe Fetnien në një fshat të thellë të Tepelenës. 70 vjeçarja zemrën e ka të thyer, provoi atë që asnjë nënë nuk duhej të provojë, të humbë fëmijën. Fjalët e saj për të bijën e ndjerë, të preknin në shpirt.

Fabiani dhe Neli ne varrin e te emes

Babai i tyre (nipërve) ka vdekur… iu qep sëmundja e keqe në mushkëri. Ka vuajtur në spital atje në Tiranë, nuk shpëtoi dot. Vajzën e kisha me diabet dhe me tension. U sëmur keq. E ndjej që do të iki më tha… më tha ‘ç’qe ky fati im o mama, do t’i lë fëmijët rrugëve edhe unë katrania’

E çuam në Gjirokastër, në Tiranë… nga Tirana erdhi e vdekur. 34 vjeçe, vajza e vetme. Atë nuk më del nga mendja se të vete atje (në botën e përtejme). Më bëhet si zë, më thotë o mami… shikoj këtej andej, por nuk shoh asgjë. Më bëhet zë që më flet vajza. Nuk e di se çfarë të bëj se më ka lënë dy djem, shpirti im e di.“-thoshte gjyshe Fetnia.

Gjyshe Fetnia përmes emisionit ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ kishte vetëm një thirrje… ta ndihmonin shqiptarët që të dilte nga varfëria e skajshme dhe shtëpia e shkatërruar ku jetonte me dy nipat.

Dhe dëshira e kësaj gjysheje, u bë realitet. Shqiptarë, bamirës, emisioni si dhe njerëz zemërmirë të gjithë kontribuan që 70 vjeçares t’i plotësohej amaneti për një shtëpi të re për dy nipat.

Ky është klipi i shkurtër që tregon momentet e gëzimit të fëmijëve kur hyjnë në shtëpinë e tyre të re.

Elvisi e Fatma Naçi udhëtuan drejt qytetit të Tepelenës për t’i parë nga afër dy djemtë dhe gjyshe Fetnien. Një gëzim kaq i madh të shohësh këtë nënë që sytë tashmë i ka të qetë, falë dhuratës së shqiptarëve. Elvis Naçi i tha gjyshes se ishte një gëzim i madh të shihte se ata janë rehatuar në shtëpinë e re dhe e siguroi nënë Fetnien se një pension do të vihej në emrin e saj për çdo muaj. Elvisi i dha dhe një lajm të bukur gjyshes, që ka të bëjë me të ardhmen e dy jetimëve që ajo po rrit… dhe jo vetëm.

Për më tepër ndiqni klipin:

Pjesë nga biseda:

Gjyshja: Unë jam shumë e kënaqur, nga të gjithë shqiptarët dhe Elvis Naçin, ju në krye. Shumë faleminderit për këtë që keni bërë.

Elvis Naçi: Shqiptarë ka shumë që vuajnë, por rastet e jetimëve pa nënë e baba… ne i shohim me veçanjti këto raste. Ty Zoti ta shpërbleftë që po i rrit këta fëmijë. Nipërit e tu nuk janë vetëm të tutë, por edhe të mbarë shqiptarëve.

Gjyshja: Shkoja përditë në varrin e vajzës, atë të kisha, por ajo më iku ajo e shkretë.

Shtëpia atje ishte e prishur, muret e tavani sa vinin e hapeshin. Ftohtë ishte shumë. Fëmijët merrnin dru e vinin në shtëpi shpesh herë me duart tërë gjak.

Elvisi: Shpresojmë shumë shpejt, që të hapim një shkollë profesionale që fëmijët jetimë të kenë një vend ku të marrin një shkollim e një profesion. Pastaj do t’i krijojmë mundësinë që të punojnë jashtë shtetit. Ne me të vërtetë po shikojmë se po i japim fëmijëve një shtëpi një pension, por duhet t’i japim mundësinë që të kenë një profesion një të ardhme.

Nëna ne nga ty kërkojmë që të kujdesesh për këta dy jetimë. Do të kesh një hall, një problem, ne do të vijmë tëta zgjidhim.